Ahmeti viziton Haradinajn: Nesër liria do ta ketë emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

“Liria sot, e ka emrin Nasim Haradinaj, e nesër Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhë Selimi, ndërsa përgjithmonë në historinë tonë, liria do ta ketë emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Ali Ahmeti.
Këto komente, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i ka bërë pas vizitës që ka pasur këtë të shtune në Gllogjan të Deçanit, tek Nasim Haradinaj, ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është liruar të enjten nga Gjykata Speciale. Sikurse e shprehet vetë në postimin e tij, Ahmeti shkruan se u riktheva në Gllogjan për tu çmallur me shokun dhe bashkëluftëtarin e liruar nga Haga, Nasim Haradinajn.
“Padrejtësia ndaj luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe betejës për jetë, liri dhe demokraci të popullit të Kosovës po zgjat tashmë dy dekada e gjysmë si asnjë rast tjetër”, shkroi kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut.
Ahmeti, i cili ka qenë një ndër themeluesit e UÇK-së, theksoi se “rruga jonë për liri ishte e vështirë dhe e gjatë, ndërsa konfirmimi i drejtësisë së përpjekjeve tona, pas të cilave u reshtua edhe NATO, Brukseli dhe Uashingtoni, akoma vazhdon”.
“Liria sot e ka emrin Nasim, e nesër Hashim e Kadri, Jakup e Rexhë, ndërsa përgjithmonë në historinë tonë, liria do ta ketë emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës” e ka cilësuar kreu I BDI-së në komentin e tij.
/rtsh.al/