O’Brien, Serbisë dhe Kosovës: Shkaktimi i trazirave në Veri nënkupton përballje me NATO-n

“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”.
Ky ka qenë paralajmërimi i Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien për Kosovën dhe Serbinë, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë.
O’Brien po ashtu ka theksuar se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që dy vendet të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Më 5 tetor, Senati amerikan, ka konfirmuar emërimin e James O’Brien si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.
Për emërimin e O’Brien votuan 67 senatorë, ndërsa kundër 31 senatorë, njoftoi Senati, transmeton Al Jazeera .
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë kryeson Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.
Kësisoj i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili aktualisht është diplomati më i angazhuar amerikan kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t’i raportojë O’Brien, nga 5 nëntori i këtij viti.
O’Brien ishte propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për ta marrë pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Diplomati amerikan ka shërbyer si Shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën Ambasador në Departamentin e Shtetit, post të cilin e mban që nga viti 2022.
Ai më parë kishte shërbyer edhe në dy administrata amerikane si i dërguar special presidencial.
Po ashtu O’Brien shërbeu edhe si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright dhe Zëvendës Drejtor kryesor për Planifikimin e Politikave dhe i Dërguar Presidencial për Ballkanin.
Ai ishte pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999.
Përveç kësaj, O’Brien u përfshi në gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund asaj lufte./REL/
/rtsh.al/