Akademia Politike “Arbën Xhaferi”, edicioni i 4-t në Tiranë

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Mbrëmjen e sotme në Tiranë u mbajt një takim i organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, ku të ftuar ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe Ali Ahmeti, sikundër edhe anëtarë të qeverisë dhe personalitete të jetës publike.
Drejtori i Akademisë Politike “Arbën Xhaferi”, Enis Myftari hapi mbrëmjen me një paraqitje të punëve të kryera ndërsa u mbajt dhe një minutë heshtje në nderim të politikanit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Myftari tha se Xhaferi ishte figura kryesore politike në momentet më të vështira të shqiptarëve të cilët kishin nevojë për të si një strateg dhe filozof.
Xhaferi, sipas tij, ishte udhëheqësi politikani sqimatar shqiptar, i cili e ktheu patriotizmin nga një ndjenjë atdhetarie në një mision për vetëdijen institucionale të shqiptarëve të shekullit të ri.
“Ai ishte një filozof me përmasa globale. Ai ishte një vizionar, mendimtar i përkushtuar në kauzën shqiptare duke luftuar për barazi dhe ndaj ta kujtojmë sot në Ditën e të Drejtave të Njeriut”, u shpreh Myftari, teksa vuri në dukje se gjeneratat e reja mund të kuptojnë filozofinë e tij politike vetëm duke lexuar dhe mësuar veprat e tij.
“Themelet e Akademisë Politike “Arbën Xhaferi”, që u vendosën në qytetin e Gostivarit sot reflektohen kudo. Duke lënë pas kujtimet e tri edicioneve të kaluara të AP, në Gostivar, Vushtri e Gjilan nga 21-27 nëntor jetësuam edicionin e 4-t në Tiranë, me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama. Në këto 4 vite të AP “Arbën Xhaferi” kemi kaluar 350 aplikime dhe ndërkohë në programin 7- ditor në këto 4 edicione kanë kaluar 70 të rinj nga trojet shqiptare”, tha ai.
Myftari bëri të ditur, se për ta ridimensionuar këtë akademi, është përgatitur Strategjia e Akademisë Politike, 2025-2027 ku veçoi organizimin e Samitit Rinor në Shkup, në Prishtinë dhe në 2027 mbajtjen e Samitit Rinor në Tiranë.
Ai u shpreh se, Akademia Politika “Arbën Xhaferi” ndër të tjera trajnon të rinjtë për çështje të ndryshme sociale dhe politike. “Për të kuptuar filozofinë e politikanit Arbën Xhaferi, që është motiv për politikanët e rinj, Akademia Politike do të kenë për mision vendosjen e standardit politik europian”, deklaroi Myftari. /j.p/