E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia e Shkencave 'Ikën' Beqiraj, Korkuti kandidat për kryetar

TIRANE- Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj i ka mbaruar mandati për drejtimin e saj. Para një muaji sipas statusit të këtij institucioni, janë shpallur zgjedhjet e reja. Burime të "Gazeta Shqiptare" pranë ASHSH-së bëjnë të ditur se në zgjedhje konkurrohet për postin e kryetarit, të nënkryetarit dhe atë të sekretarit të seksionit të shkencave albanologjike, pas daljes në pension të prof.Emin Rizës, që mbante këtë detyrë. Të njëjtat burime, shtojnë se afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave ka qenë data 30 qershor dhe deri më tani janë paraqitur vetëm tri të tilla. Për postin e kryetarit kandidon prof.Muzafer Korkuti që aktualisht mban postin e nënkryetarit, ndërsa për postin e nënkryetarit kandidon Gudar Beqiraj që mban postin e kryetarit. Nëse këta të dy emra do të votohen nga akademikët, atëherë ata do të ndërrojnë vendet. Ndërkaq, prof.Ethem Lika ka paraqitur kandidaturën për postin e sekretarit të seksionit të shkencave albanologjike. Deri më tani, ende nuk është bërë publike një datë se kur do të mbahen zgjedhjet, ndërsa është i habitshëm numri i vogël i emrave konkurrues: Një emër për në post. Në fakt, deri më tani, nuk duket të ketë konkurrencë, pasi nuk ke mundësi zgjedhje mes dy emrash, por vetëm një propozim, i cili do të gjykohet nga akademikët. Mbetet e paqartë mungesa e interesit për të drejtuar institucionin kryesor të shkencës në vend, në një kohë që në zgjedhjet e fundit, postet e mësipërme dëshiroheshin nga Fatos Kongoli, Apollon Baçe apo Kolec Topalli. A ka të bëjë kjo mungesë interesi me faktin që Akademia e Shkencave është kthyer në një institucion honorifik? Mbase po, mbase jo!
Kryetari aktual
Gudar Beqiraj është zgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave më 7 shkurt 2009, dhe deri atë ditë mbante postin e nënkryetarit të këtij institucioni, ashtu sikundër pretendon edhe në zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti. Katër vite më parë, 39 anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave kanë votuar dy herë për të zgjedhur kryetarin e ri. Kjo për faktin se gjatë votimit të parë asnjëri nga të tre kandidatët për këtë post nuk arriti që të marrë numrin e domosdoshëm të votave 20+1, që të shpallej fitues. Gudar Beqiraj ka mundur të zgjidhet në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me plot 21 vota, duke lënë pas rivalin kryesor të tij, Kolec Topallin. Këta dy kandidatë provuan shijen e balotazhit në një votim të dytë, pasi në të parin Beqiraj mundi të marrë vetëm 16 vota. Ky numër ishte më i vogël se sa 18 votat që mundi të marrë gjatë raundit të parë të votimeve Kolec Topalli. Kandidati i tretë në garë për këtë post, Apollon Baçe, është skualifikuar që në votimin e parë, pasi ka mundur të marrë vetëm 4 vota. Atë vit, në postin e nënkryetarit u zgjodh Myzafer Korkuti, i cili garonte për këtë vend përballë Fatos Kongolit.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›