Akademia e Shkencave, qendra më e fuqishme e studimit të gjuhës shqipe
Kryeministri Sali Berisha u nderua dje me titullin “Senator Nderi” i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, në Salzburg, me motivacionin “Për promovimin dhe nxitjen e zhvillimit të shkencës”
Është një nder i veçantë për mua të përshëndes akademikët e Shqipërisë në 40 vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të vendit. Ky është, gjithashtu, një moment i veçantë për tu përulur me nderimin më të madh, mirënjohjen më të thellë ndaj atyre grave dhe burrave të shquar, studiuesve, shkencëtarëve dhe akademikëve nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët në një kohë kur ne nuk shkruanim dot për veten tonë, për gjuhën dhe historinë tonë, realizuan ndër studimet më të bukura, më themelore, më të rëndësishme për etnogjenezën e kombit shqiptar, historinë e tij. Ata janë themeluesit e vërtetë të mendimit të ri akademik shqiptar. Ky mendim ka pasur etapat e veta. Në rast se u zhvillua në fundin e rilindjes evropiane me Barletin, Bogdanin, Buzukun dhe mendimtarë të tjerë, më pas për shekuj endej ndërprerja. Softi i kombit, mendja e kombit, pësoi një transformim imperial deri nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, gjysmë në të cilën u zhvillua e fuqishme rilindja shqiptare, gjysmë në të cilën mendimi akademik intelektual shqiptar njohu një nga kulmet më të mëdha në të gjitha kohërat.
Sot është një rast i veçantë për mua të përshëndes dhe të shpreh nderimin tim më të madh ndaj atyre burrave dhe grave që themeluan Akademinë e Shkencave, 40 vjet më parë. Ata ishin kollosë të mendimit intelektual shqiptar, të mendimit akademik shqiptar, në vazhdën e mendimit të rilindësve shqiptarë, të studiuesve të mëdhenj si Majer e shumë të tjerë. Ata zhvilluan më tej shkencat e etnogjenezës së kombit shqiptar dhe në tërësi doktrinat shkencore, mendimin akademik të vendit. Natyrisht, regjimi totalitar kishte ndikimin e tij fatkeq mbi mendimin akademik, por duhet të pranojmë se akademikë të shquar të vendit bënë gjithçka, shfrytëzuan çdo hapësirë për të mbrojtur të vërtetat e mëdha të kombit shqiptar, bënë gjithçka për të ndërtuar dhe rindërtuar shpirtin, të shkuarën e këtij kombi, në emër të një të ardhmeje tjetër. Ndaj dhe sot është një rast i veçantë të shprehim nderimin më të madh ndaj Eqerem Çabejit, këtij kollosi gjenial të gjuhës së kombit, Aleks Budës, Luigj Benussit dhe shumë e shumë akademikëve për punën e tyre.
Sot është një rast i veçantë për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, i cili në kushtet më të vështira ndërtoi monumentin më të shkëlqyer të letrave shqipe. Ai krijoi letërsinë moderne të këtij vendi dhe i dha asaj një prej niveleve më të larta të planetit.
Unë dua t’ju përshëndes ju, zotërinj akademikë, që këto 20 vite në liri keni bërë gjithçka për zhvillimin e mëtejshëm të mendimit akademik shqiptar, për të kapërcyer me shpejtësi pasojat e izolimit, për të përcaktuar horizonte dhe dimensione të reja studimi, për të krijuar lidhje me botën akademike rajonale, evropiane dhe botërore.
Ne kremtojmë këtë 40 vjetor të Akademisë së Shkencave në një vit jubilar, vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në rast se ne shohim në shekuj dhe Evropën, asnjë komb nuk ka pasur histori më të vështirë se ne shqiptarët në 100 vite. Përsëri, ne kemi 100 arsye për të qenë krenarë dhe optimistë për të ardhmen tonë. Kombi që mori dënim kapital në mënyrën më të pamerituar në Kongresin më të rëndësishëm të kohës dhe u përcaktua si një nocion gjeografik, kombi që fuqitë kolonialiste evropiane të fillimit të shekullit kishin përcaktuar t’i përdornin territoret si plaçkë lufte, është sot anëtar i NATO-s, Aleancës së Atlantikut, aleancës më të fuqishme. Kombi që 100 vjet më parë do të copëtohej në mënyrë barbare dhe të pamerituar është sot i lirë, kudo që jeton. Pas 100 vitesh Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ne kemi 100 arsye më shumë të punojmë dhe besojmë për një të ardhme të ndritur të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ne ecim sot të sigurt në rrugën e integrimit evropian. Por në këtë rrugë është vendimtare eliminimi dhe kapërcimi i të gjitha barrierave, pasojave, të ndarjes së shqiptarëve. Ndaj dhe motoja jonë do të jetë “të bashkohemi me njeri – tjetrin, të bashkohemi me Evropën”. Bashkimi Evropian fakton se, pavarësisht nga kriza aktuale, është një tërësi kombesh që jetojnë në paqe, liri dhe prosperitet. Për Shqipërinë dhe shqiptarët themelore mbeten shkencat e etnogjenezës. Janë ato që ndërtojnë çdo ditë, kujdesen çdo ditë e më shumë për identitetin e kombit. Kurrë nuk duhet të harrojmë se identiteti i këtij kombi krahas geneve, të cilat në një botë globale njohin edhe ato variacionet e tyre, është gjuha shtylla më kryesore e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Kjo përbën një avantazh të madh për ne. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për studimin e saj, duhet të bëjmë gjithçka të vendosim gjuhën në piedestalin e studimeve më të avancuara, të vendosim gjuhën si lëndën më thelbësore të edukimit të brezave të këtij vendi. Akademia e Shkencave dhe Institutet e saj le të vazhdojnë të jenë qendrat më të fuqishme të studimit të gjuhës shqipe, të bëjnë gjithçka për të inkurajuar miq e studiues nga e gjithë bota që të studiojnë këtë gjuhë, e cila në vetminë e saj ka dhe habinë e saj të madhe, ka dhe tërheqjen për tu studiuar. Të bëjmë gjithçka për të studiuar historinë tonë, e cila është e mbushur me drama, gabime të rënda, por edhe me momente të jashtëzakonshme. Johannes Hahn, në kryeveprën e tij kushtuar shqiptarëve thotë se Skënderbeu ishte rasti më i pashembullt në histori. Ne nuk duhet të reshtim së studiuari gjithnjë e më shumë historinë tonë. Pavarësisht nga dramat që kemi pësuar ky komb, i vetmi i dënuar në Evropë për tu zhdukur, është ngritur në mënyrë të përsëritur si Fenix-i nga hiri i luftërave, dhembjeve, vuajtjeve dhe shkatërrimeve të tij. Këtu qëndron pasaporta e përjetësisë së kombit shqiptar. Të vërtetat historike janë shumë të rëndësishme, së pari për të shmangur gabimet e së shkuarës dhe së dyti se Evropa e bashkuar është pa diskutim arritja më e madhe e kombeve të kontinentit në histori. Ata që mendojnë se kjo Evropë do të ndërtohet mbi shuarjen e ndërgjegjeve kombëtare dhe krijimin e një ndërgjegjeje tjetër, gabojnë shumë rëndë. Evropa ndërtohet duke u pasuruar me ndërgjegjen kombëtare të kombeve, historinë kombëtare të kombeve, kulturën kombëtare të kombeve. Vetëm si të tillë do të mund të kemi vendin që meritojmë në gjirin e kombeve të zhvilluara të Evropës.
Duke ju përshëndetur dhe një herë me përzemërsi, ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur mendimin akademik shqiptar, për të respektuar lirinë akademike si kushtin më kryesor të zhvillimit të këtij mendimi.
Urimet më të përzemërta!”
***
Pas marrjes së titullit, Kryeministri Berisha theksoi: Së pari, dua të shpreh mirënjohjen time Presidenti i Akademisë Evropiane dhe të gjithë atyre që votuan të më bëjnë mua këtë nderim të jashtëzakonshëm. Ju garantoj se e pranoj këtë si një detyrim dhe përgjegjësi për të mbështetur me të gjitha mundësitë lirinë akademike të vendit tim, mendimin akademik të Shqipërisë, si qëndrimi më i merituar ndaj nderimit të madh që mu bë. Në shkencë dhe në tërësi nuk ka raport më të rëndësishëm për njeriun sesa raporti me të vërtetën. Studiuesit, shkencëtarët më shumë se të gjithë të tjerët janë në qëmtim të saj, në hulumtim dhe në zbulim të saj. Realiteti është se janë këto të vërteta që studiohen, që zbulohen dhe që hulumtohen ato, të cilat përbëjnë dhe gurët e qoshes së ndërtesës së zhvillimit të një shoqëritë dhe një kombi në tërësi. Ndaj dua t’ju garantoj se do të bëj gjithçka për të mbështetur zhvillimin akademik të vendit tim. Në rastin më të parë që do të më krijohet mundësia do të jem me kënaqësi në Salzburg për të përshëndetur ata që më bënë këtë nderim.
Vlerësimi/Berisha: Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe - krijoi letërsinë moderne
Në ceremoninë e organizuar për 40-vjetorin e Akademisë së Shkencave, kryeministri Sali Berisha shprehu mirënjohje për themeluesit e kësaj Akademie, duke i cilësuar si kolosë të mendimit akademik shqiptar. Një nderim të veçantë shefi i ekzekutivit shprehu për për shkrimtarin Ismail Kadare, duke e cilësuar si gjeniun e letrave shqipe që krijoi letërsinë moderne të vendit. “Sot është një rast i veçantë për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, i cili në kushtet më të vështira ndërtoi monumentin më të shkëlqyer të letrave shqipe. Ai krijoi letërsinë moderne të këtij vendi dhe i dha asaj një prej niveleve më të larta të planetit. Unë dua t’ju përshëndes ju, zotërinj akademikë, që këto 20 vite në liri keni bërë gjithçka për zhvillimin e mëtejshëm të mendimit akademik shqiptar, për të kapërcyer me shpejtësi pasojat e izolimit, për të përcaktuar horizonte dhe dimensione të reja studimi, për të krijuar lidhje me botën akademike rajonale, evropiane dhe botërore”- vlerësoi kryeministri Berisha. Në ceremoninë jubilare me rastin e 40 vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryeministri Berisha u nderua me titullin “Senator Nderi” i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, në Salzburg, me motivacionin “Për promovimin dhe nxitjen e zhvillimit të shkencës”. Titulli iu dorëzua Kryeministrit Berisha nga zv/presidenti i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Erich Hödl, si dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj. Zv/presidenti i Akademisë Evropiane të Shkencave u shpreh se ishte një nder i madh për të që i dorëzonte këtë titull Kryeministrit Berisha, ndërsa vlerësoi angazhimin e tij në nxitjen e zhvillimit të shkencës.