Ftesa e Ramës, PD: Në tryezë me PS-në vetëm për 3 ligjet – zgjidhja për Fierin, akti ligjor që PS ushtroi për këshilltarët e saj
Partia Demokratike reagoi sot ndaj “ftesës” së Edi Ramës, për mbledhjen e një tryeze të partive parlamentare me objekt çështjen e qarkut të Fierit, duke e cilësuar si tentativë për shmangien e përgjegjësive të bllokimit të ligjeve të integrimit. Zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi tha në një deklaratë për mediat se PD është e gatshme të ulet në çdo tryezë me PS, për diskutimin dhe shqyrtimin e çdo amendamenti që mund të përmirësojë 3 ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian. Sipas saj, situata e Fierit nuk ka asnjë lidhje me 3 ligjet e pa-miratuara nga Partia Socialiste. “Pas bllokimit prej dy muajsh të votimit në Parlament të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian si kushte për statusin kandidat të vendit dhe pasi vendosi në mbledhjen e paradites së sotme të Grupit Parlamentar te Partisë Socialiste, bllokimin ditën e enjte të votimit të këtyre ligjeve, zoti Rama botoi sot pasdite një deklaratë në të cilën përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e bllokimit të votimit të këtyre ligjeve me forca të tjera parlamentare që kanë qenë dhe janë të gatshme në çdo kohë për votimin e tyre. Kështu, në deklaratën e tij ai lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit, gjëra këto, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra - tjetrën. Për më keq, ai kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e qarkut te Fierit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj Gjykate. Me këtë kërkesë, Z. Rama, dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar, për të bllokuar votimin e këtyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë. PD është e gatshme të ulet në çdo tryezë, të diskutojë me PS çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament”- u shpreh zëdhënësja e PD. Lidhur me pretendimet e PS për qarkun e Fierit, Partia Demokratike e sheh zgjidhjen tek aktet ligjore që PS ushtroi me këshilltarët e saj në Komunën Bubullimë, Komunën Dremenas, në Bashkinë Divjakë dhe në Fier- Shegan. “PD ka ofruar zgjidhje politike dhe kushtetuese për Qarkun e Fierit, mocionin për të gjithë këshilltarët e saj, pikërisht atë akt ligjor të cilin Partia Socialiste me këshilltarët e saj e ka ushtruar: në datë 29/06/2012 në Komunën Dremenas; në dt. 28/08.2012 në prani të ish Kryeministrit Fino në Bashkinë Divjakë; në dt. 26/01.2012 në Komunën Bubullimë, ku ka hequr përfaqësues të shumicës dhe ka zgjedhur z. Alban Mësonjësi, përfaqësues të PS për anëtar të Këshillit të Qarkut; në dt. 24/08.2012 në Fier- Shegan”- tha ajo.
Ndërkaq, Partia Demokratike deklaroi gjithashtu se në çdo vend të lirë demokratik, zbatimi i vendimeve të Gjykatës është një detyrim ligjor kushtetues i Institucionit të Përmbarimit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat funksionojnë vendosmërisht në të gjitha rastet që u kërkohet nga palët e interesuara. “Zbatimi i tyre nuk mund të pengohet nga asnjë forcë e vetme politike apo disa forca të marra së bashku, ndaj edhe kjo nuk mund të jetë çështje e një debati tryezash partiake, por është detyrim madhor kushtetues. Po në këtë kontekst, sot në qytetin e Fierit, Gjykata kishte përcaktuar seancën gjyqësore për gjykimin në themel të çështjes së Qarkut të Fierit. Ishte PS që kërkoi shtyrjen për dy javë të tjera të gjykimit të çështjes për arsye të cilat i di vetëm z. Rama”- theksoi më tej, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.
Gjatë kësaj periudhe Partia Demokratike ka bërë çdo gjë për të gjetur zgjidhje ligjore dhe kushtetuese për problemin e Fierit, i cili nuk ka asnjë lidhje me votimin e ligjeve në Parlament, kurse z.Rama çdo ditë ka kërkuar dhe mbrojtur pretekste absurde për bllokimin e këtyre ligjeve të një rëndësie jetike për integrimin e vendit.