E Diel, 1 Nëntor 2026

Akciza për birraritë e vogla, shumica dhe opozita bien dakort të rishikojnë formulën e taksimit

Për të mbështetur nismën për promovimin e produkteve “Made in Albania”, demokratja Jorida Tabaku ka kërkuar që birraritë e vogla në vend të kenë një normë më të ulët akcize sesa prodhuesit e mëdhenj.

“Sot janë 9 birrari të vogla që taksohen njësoj me bizneset e mëdha dhe që prodhojnë në vit 3890 hektolitra. Nisma është edhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian që inkurajojnë birraritë e vogla për prodhimin e tyre”, tha Tabaku.

Në debat u rikthye skema e vjetër e akcizës, e cila u hoq në vitin 2022. Në atë periudhë kompanitë që prodhonin nën 200 mijë hektolitra në vit taksoheshin me 355 lekë për hektolitër, ndërsa ato mbi këtë prag paguanin 710 lekë për hektolitër.

Ministria e Financave argumentoi në Komisionin e Ekonomisë se kjo skemë kishte krijuar probleme serioze në zbatim.

“Aplikimi i diferencuar në të shkuarën ka sjellë probleme të jashtëzakonshme në terren dhe për këtë arsye ne nuk e mbështesim këtë propozim”, tha Endrit Yzeiraj, zv.ministër i Financave.

Pas votimit kundër, palët ranë dakord që të ketë një rishikim të formulës.

Sipas kompromisit, tavani për përfitimin e një akcize më të ulët se norma standarde do të vendoset deri në 10 mijë hektolitra në vit për çdo prodhues./vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›