E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident fatal në aksin Çermë-Divjakë, humb jetën një 71-vjeçare

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin rrugor Çermë-Divjakë. Një motoçikletë ka përplasur një shtetase e cila po kalonte rrugën nga njëra anë në tjetrën.

Sipas të dhënave të raportuara nga gazetarja e televizionit RTSH 24, si pasojë e përplasjes ka humbur jetën në vend shtetasja me inicialet I.D., rreth 71 vjeçe.

Pas ngjarjes, forcat e rendit kanë kryer ndalimin e drejtuesit të motoçikletës, një shtetas i moshës 24-vjeçare me inicialet L. Xh. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.

“Rreth orës 09:00, në aksin rrugor “Çermë Proshkë-Divjakë”, shtetasi L. Xh., 24 vjeç, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi, ka përplasur këmbësoren I. D., 71 vjeçe, e cila si pasojë e përplasjes ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar drejtuesin e motomjetit, shtetasin L. Xh., në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.”, njofton policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›