E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident i trefishtë në aksin Elbasan-Peqin, pesë të plagosur

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 19:20 në Murras, të Njësisë Administrative Papër, në aksin nacional Elbasan–Peqin, ku tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar plagosjen e pesë personave.

Sipas informacioneve paraprake, të plagosurit kanë marrë dëmtime të ndryshme dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare mbi gjendjen shëndetësore të tyre.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, grupi hetimor dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë bërë normalizimin e qarkullimit dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Si pasojë e përplasjes, në këtë segment rrugor u krijua për disa minuta vështirësi në qarkullimin e automjeteve, ndërsa Policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›