Aksident në vendin e punës në Vjenë, humbin jetën tre shqiptarë të Kosovës

PRISHTINË, 18 mars/ATSH/ Ambasada e Kosovës në Austri ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi të martën në Vjenë, ku një aksident në vendin e punës la të vdekur katër persona, në mesin e tyre edhe tre shqiptarë.
Aksidenti ndodhi në lagjen 9 të Vjenës ku për arsye ende të panjohura, skelat u shembën, duke ‘varrosur’ pesë punëtorë ndërtimi nën rrënoja.
Një punëtor ndërtimi u shpëtua nga shërbimet e emergjencës dhe u dërgua në spital. Katër persona të tjerë u nxorën të vdekur nga rrënojat, konfirmoi policia e Vjenës në një postim në “X”.
Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar identitetin e dy viktimave, si pasojë e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Bëhet fjalë për Pajtim Bajramin (1990) dhe Asllan Musliun (1977).
Viktima e tretë u identifikua si Istref Zekaj.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Në të njëjtën kohë, jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave. Do të vazhdojmë t’ju informojmë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.Deri më tani ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ka shprehur ngushëllime.
“Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën”, ka shkruar ai.
/Kosovapress/