AFGANISTAN – OJQ: Të paktën 400 të vdekur pas sulmit në spitalin e Kabulit

KABUL, 18 mars /ATSH-AFP/ – Një sulm pakistanez që goditi të hënën një spital për trajtimin e personave me varësi nga droga në Kabul ka shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur, konfirmoi sot organizata joqeveritare Norwegian Refugee Council (NRC), e cila ka vizituar vendngjarjen.
“Sipas asaj që kemi parë dhe diskutimeve me agjencitë e tjera të përfshira në operacionet e shpëtimit, mund të themi se ka qindra të vdekur dhe të plagosur”, deklaroi drejtori i NRC për Afganistanin, Jacopo Caridi.
Autoritetet talebane afgane raportuan dje për 408 të vdekur dhe 265 të plagosur nga ky sulm, pa përjashtuar mundësinë e një bilanci edhe më të lartë.
Organizata humanitare NRC, e cila vepron në disa rajone të Afganistanit, vizitoi qendrën e trajtimit për të varurit nga droga për të parë situatën në terren dhe për të vlerësuar mundësinë e ofrimit të ndihmës.
Caridi përshkroi skena tronditëse në vendngjarje.
Sipas tij, objekti, i projektuar për të strehuar rreth 2 000 pacientë, ishte dëmtuar rëndë, ndërsa disa pjesë ishin shkatërruar plotësisht.
Ai shtoi se ndërtesa kishte pësuar dëme të mëdha dhe se disa pjesë ishin djegur.
Gazetarët raportuan se kishin parë të paktën 95 trupa të nxjerrë nga rrënojat.
Për shkak të dëmtimit të rëndë të trupave, disa viktima mund të mos identifikohen.
“Në Evropë kemi sisteme për identifikimin e trupave edhe nga fragmente, por nuk e di nëse këto sisteme ekzistojnë këtu”, tha drejtori i NRC për Afganistanin.
Ai u bëri thirrje palëve në konflikt mes Pakistanit dhe Afganistanit që të mbrojnë civilët dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit përmes ndërmjetësimit./ /Ad.Ab./ a.jor.