Aksident tragjik në autostradën e Mirditës, humb jetën në spital 38-vjeçari nga Kosova

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:00, në autostradë, në afërsi të fshatit Fan të Mirditës.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, shtetasi kosovar me iniciale L. D., 38 vjeç, duke drejtuar motomjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi timon dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga.
Si pasojë e plagëve të marra nga përplasja, 38-vjeçari është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Rrëshenit. Pavarësisht ndërhyrjes dhe ndihmës së marrë nga bluzat e bardha, drejtuesi i motomjetit ka ndërruar jetë në spital.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.
/rtsh.al/