Aksidente në Thumanë e Elbasan, 10 të plagosur, dyshohen katër të vdekur
Thumanë/Elbasan- Dy aksidente të rënda automobilistike kanë ndodhur brenda pak orësh në mesditë në rrugët e vendit.
Një furgon me targa IB 001 A është përplasur me një maune me targa KO 1025 A në aksin Elbasan- Librazhd dhe flitet për disa persona të plagosur, ku sipas policisë katër prej pasagjerëve kanë ndërruar jetë. Ka të dhëna kontradiktore për numrin e viktimave teksa burime të tjera bëjnë me dije se tre janë personat e vdekur.
Në aksident është përfshirë edhe një automjet me targa AA 971 EA, teksa është bllokuar qarkullimi në këtë segment rrugor.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit tragjik është bërë parakalimi i gabuar i furgonit tip taksi, por edhe moti i lagësht me reshje të dendura në momentin e ngjarjes.
Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes ka nisur nga puna për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë.

Ndërsa si pasojë e përplasjes mes tyre të një furgoni me pasagjerë me targë TR4473M dhe një automjeti tip Tuareg me targë AA829EF në aksin rrugor Fushë-Krujë-Milot, pranë Thumanës ka përfunduar me një bilanc me pesë persona të plagosur, ku dy prej tyre janë më rëndë.
Policia bën me dije se dy prej të plagosurve rëndë janë dërguar në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit për të marrë ndihmën mjekësore. Mes të plagosurve rëndë është edhe drejtuesi i furgonit.
Teksasa ende identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, uniformat blu dhe grupi i ekspertëve kanë nisur hetimin për zbardhjen edhe të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit të rëndë që fatmirësisht ka përfunduar pa jetë të humbura.