E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, dy të vdekur, gjashtë të plagosur

SHPEJTËSIA/ Gjatë së dielës janë regjistruar dy viktima, ndërkohë që një polic është plagosur rëndë pasi u godit nga një makinë


Dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur, mes të cilëve edhe një polic, është bilanci i aksidenteve të ndodhura gjatë pasdites së të dielës. Tre aksidentet u regjistruan në Rrogozhinë, Kavajë dhe në Shkodër brenda tri orëve. Burime nga policia bëjnë të ditur se gjatë pasdites së të dielës, rreth orës 17:00, një shtetase është goditur nga një automjet në kohën që po kalonte rrugën në qytetin e Rrogozhinës.


Mësohet se gruaja 43-vjeçare, Xhevahire Oloni, nga fshati Skrovë i Librazhdit, po kalonte rrugën, kur automjeti tip "Audi A3" me targa të huaja, i cili po lëvizte me shpejtësi e ka goditur. Gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pa pasur mundësi shpëtimi. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici pas ngjarjes, ndërkohë që kanë nisur hetimet për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".


Ndërkohë, vetëm një orë më pas, nga përplasja e dy mjeteve kanë mbetur të plagosur rëndë gjashtë persona, njëri prej të cilëve humbi jetën në spital. Burimet nga policia bëjnët ë ditur se ngjarja ndodhur rreth orës 18:00 në dalje të qytetit të Kavajës. Dy automjete me targa të huaja janë përplasur me njëra tjetrën, ndërkohë që kanë marrë dëmtime personat që ndodheshin në të.


Ata janë dërguar në spitalin e Durrësit, por 24-vjeçari Ylli Sofija, banor i qytetit të Kavajës, ka humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të rënda që kanë marrë. Ndërkohë, ndodhen nën mjekim intensiv edhe pesë të rinj të tjerë që u përfshinë në aksident, të gjithë banorë të Kavajës.


Të rinjtë e lënduar janë I.Troso, 22 vjeç, N.Dedaj, 25 vjeç, E.Rada 23 vjeç, G.Rada 21 vjeç dhe A.Duro, 19 vjeç. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak për këtë aksident ka qenë shpejtësia me të cilën lëviznin mjete.


Ndërkohë, rreth orës 20:00 një polic në Shkodër është aksidentuar. Mësohet se Fatjon Metani po lëvizte me motor në kohën që është përplasur nga një makinë. Ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë, teksa bëhet e ditur se në kohën e aksidentit punonjësi i bluve ka qenë jashtë shërbimit.

Po gjatë ditës së djeshme, në fshatin Potgorie të Korçës një 50-vjeçar ka humbur jetën në një aksident, pasi zetori i tij u përmbys dhe e zuri poshtë, ndërkohë që po në aksin Shkodër - Lezhë u regjistruan brenda gjysmë ore dy aksidente.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›