Virozat e stinës, mijëra pacient në urgjenca
Specialisti i ISHP-së, Ulqinaku thekson se gushti arriti kulmin me numrin e të prekurve. Tregoni kujdes me higjienën
Virozat e stinës duket se janë kthyer në një problem serioz për popullatën sidomos për fëmijët. Shërbimi i urgjencave në Spitalin më të madh të vendit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" janë të tejmbushura por nga ana tjetër pavijonet e spitalit duken të boshatisura nga pacientët që vuajnë sëmundje kronike.
Sipas mjekëve të QSUT-së kjo situatë vjen për faktin se virozat e stinës janë sëmundje akute ndërsa të sëmurët kronikë zakonisht kthehen në vjeshtë me uljen e temperaturave. Ndërkohë specialisti i sektorit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku se në gjithë vendin paraqiten për ndihmë shëndetësore për shkak të virozave të stinës më shumë se 6 mijë persona për një javë.
Virozat
Virozat e stinës duket se janë kthyer në problem në këto temperatura të larta. "Në Pediatri paraqiten më shumë se 200 fëmijë për ndihmë mjekësore për shkak të virozave të stinës", pohojnë mjekët e QSUT-së duke shtuar se e njëjta situatë ndodh edhe me të rriturit. Kështu ISHP-ja ka pohuar se muaji gusht arrin kulmin e të prekurve nga virozat. Në një javë në të gjithë vendin paraqiten nëpër poliklinika apo pavijone të infektivit rreth 6000 vete.
Specialistët sqarojnë se zonat bregdetare të mbipopulluara në këtë sezon regjistrojnë edhe numrin me te madh te pacienteve. "Numri ka kaluar mbi 6 mije raste në javë. Ka shumë individë që i drejtohen klinikave tona me shenja te të tilla si diarre, të vjellja, me lodhje trupore me shenja të përgjithshme që në përgjithësi shkaktohen nga viruse të stinës së verës", -u shpreh Dritan Ulqinaku, specialist i ISHP-së.
Këshilla
Mos dilni në orët e pikut të vapës konsumoni produktet të sigurta dhe kini kujdes fëmijët dhe moshën e tretë. Këto janë këshillat kryesore që vijnë nga specialistët të cilët theksojnë se në këto ditë të nxehta kujdes maksimal duhet treguar edhe me higjienën.
"Gjithçka lidhet me higjienën e qytetareve duke nisur që nga uji i pijshëm me probleme, deri tek konsumi i produkteve të tjera ushqimore si zarzavatet, frutat por edhe mishi dhe bulmetrat",- thekson Ulqinaku.
Sipas tij janë pikërisht temperaturat e nxehta të stinës së verës që kanë stimuluar këto ditë fluksin e pacienteve në urgjenca. Ndërkohë mjekët bënë apel edhe sa i takon goditjeve nga dielli .
"Goditjet nga dielli janë raste me të rralla por janë të rënda dhe përmbajnë raste urgjente. Kjo ndodh kur aftësitë fiziologjike, të termorregullimit nuk përballojnë rritjen e madhe të temperaturës trupore. Në këto kushte mund të ndodhë që organizmi të mos reagojë dhe të çojë deri humbje të vetëdijes dhe probleme më serioze për jetën",- shpjegojnë mjekët.