Aksidenti pranë mbikalimit në Mbrostar–Levan, ndërron jetë në Spitalin e Traumës 19-vjeçari pas aksidentit të rëndë

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës 19-vjeçari Indrit Shyti, drejtuesi i mjetit i cili kishte mbetur i plagosur rëndë në një aksident rrugor të regjistruar një ditë më parë.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 16:50, në aksin rrugor pranë mbikalimit të Spitalit Memorial në Mbrostar–Levan, ku për pasojë mbetën të dëmtuar tre persona.
Sipas informacioneve paraprake të transmetuara nga gazetarja e RTSH-24, Laureta Roshi, “një automjet tip Volksvagen, i drejtuar nga shtetasi Indrit Shyti ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga.”
Si pasojë e daljes së mjetit nga rruga u dëmtuan si drejtuesi i automjetit, ashtu edhe dy pasagjerët që udhëtonin me të. Të tre të lënduarit u dërguan menjëherë për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit, ndërsa 19-vjeçari u transferua më pas për trajtim të specializuar mjekësor në Spitalin e Traumës, ku nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Grupi hetimor dhe shërbimet e policisë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet e para për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
/rtsh.al/