E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aksidenti tragjik në Kosovë, reagon Kurti

PRISHTINË, 27 janar/ATSH/- Tre persona kanë humbur jetën e 5 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti në Kosovë.

Aksidenti ka ndodhur në fshatin Çubrel të Skenderajt. Mësohet se 3 viktimat i përkasin të së njëjtës familje. Bëhet fjalë për shtetasit Z.G, rreth 70 vjeç, A.G, rreth 50 vjeç dhe G. G, rreth 48 vjeç.

“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civilë, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave nga ky aksident tragjik.

“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti”, shprehet Kurti.

Kryeministri thekson se: “konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”.

Edhe kreu i Parlamentit, Glauk Konjufca është shprehur i tronditur pas ngjarjes duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave.

Dega e PDK-së në Skenderaj anulon aktivitetet për sot

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj dhe nënkryetari i kësaj komune Sami Lushtaku, ka njoftuar se kjo dega e tyre ka anuluar aktivitetet për sot.

Shkaku sipas Lushtakut është aksidenti i rëndë ne Çubrel të kësaj komune.

“Na tronditi thellë lajmi për vdekjen e 3 personave nga një aksident i rëndë komunikacioni në fshatin Çubrel të Skenderajt. Duke shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë për të lënduarit, njoftoj se anulohen të gjitha aktivitetet politike të organizuara nga Dega e PDK-së në Skenderaj”, ka shkruar Lushtaku.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një  aksidenti të trafikut në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, përkatësisht në Çubrel të Skenderajt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›