Aksidenti tragjik në Rrugën e Arbrit, viktima 31 vjeç, të plagosurit në gjendje të rëndë nisen drejt Traumës

Policia ka dalë me informacion zyrtar pas aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në segmentin e rrugës së Arbrit, Bulqizë-Shupenzë në vendin e quajtur ura e qytetit Valikardhë.
Shtetasi Edmir Zogu duke drejtuar automjetin tip fuoristradë ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë ka humbur jetën bashkëshortja e tij, Matilda Zogu, 31 vjeç. Të plagosur kanë mbetur katër fëmijët e çiftit.
“Si pasojë e daljes nga rruga të automjetit, ka humbur jetën shtetasja M.Z., rreth 31 vjeçe (bashkëshortja e drejtuesit të automjetit), ndërsa drejtuesi i mjetit dhe 4 pasagjerë, janë dëmtuar dhe po transportohen drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të saktë të daljes nga rruga të automjetit”, njofton policia./vizionplus.tv