E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në HimarëGjykata burg pa afat2 personave

VLORE- Gjykata e rrethit të Vlorës vendosi sot masën e sigurisë "arrest në burg pa afat" për dy nga 7 të rinjtë e përfshirë në aksidentin me pasojë vdekekjen e 35 vjeçarit Aristotel Guma, në Himarë, ndërkohë që për 5 të tjerët masat ishin respektivisht "burg me afat" dhe garanci pasurore.
Në seancën e vlerësimit dhe të caktimit të masës së sigurisë, gjykatësi Fuat Muka shqyrtoi në tërësi provat që kishte paraqitur organi i akuzës në ngarkim të 7 të pandehurve. Në përfundim, ai vendosi masën e sigurisë "arrest në burg pa afat", për 20 vjeçarin Ilir Muka, i cili u dorëzua një ditë më parë dhe bashkëmoshatarin e tij, Endrit Salata, të cilët akuzohen për veprën penale të vrasjes me dashje.

Gjyqtari i çështjes vendosi masën e sigurisë "me burg me afat" për të rinjtë Aleksandër Gjoka, Bledar Meminaj, Andi Kotorri e Juxhin Mustafaraj, të cilët akuzohen për bashkëpunim, si dhe garanci pasurore prej 600 mijë lekësh për të rinjtë Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët akuzohen për veprën e dhënies së ndihmës.
Në seancë, i riu, Ilir Mukaj shfaqi pendesë për ngjarjen, ndërkohë që deklaroi se bëhet fjalë për një aksident jo të qëllimshëm.

20 vjecari Ilir Muka u vetëdorëdua dje në policinë e Vlorës. Sipas policisë i riu kishte qëndruar i fshehur në afërsi të Tiranës që prej së premtes kur u shpall në kërkim nga policia. Për kapjen e tij, policia kishte caktuar një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që jepte informacion që do të ndihmonte në arrestimin e tij.

Dorëzimi para drejtësisë i 20-vjeçarit Muka u paralajmërua 24 orë më parë (mbrëmjen e së shtunës) nga babai i tij Halo Muka, në një intervistë dhënë për “G.SH.” dhe ‘News24’. I ati konfirmoi se “djali do të dorëzohet pasi të qetësohet situata, që është e politizuar dhe e tensionuar”.
Aksident u shoqërua me protesta e bllokim të rrugës nacionale për gati 15 orë nga banorët e Himarës, si dhe ngjalli reagimin dhe të Athinës Zyrtare dhe të kryepeshkopit Janullatos.

Zëdhënësi i MPJ-së greke Gregoris Delavekuoras në një deklaratë zyrtare tha për ngjarjen se “akte të tilla kriminale janë të papranueshme dhe kanë për qëllim stimulimin e tensioneve etnike, që do të sillnin pasoja të paparashikueshme dhe do të dëmtonin marrëdhëniet midis dy vendeve"

Kreu i Kishës Ortodokse shqiptare, Anastasi Janullatos deklaroi se këto ngjarje përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje.

(s.g. d.b/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›