E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëdorëzohet autori i ngjarjes në Himarë

Vlorë, 16 gusht – është vetëdorëzuar në policinë e Vlorës shtetasi Ilir Muka, i akuzuar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në periferi të Himarës, ku pas përplasjes me makinë, mbeti i vdekur minoritari 35 vjeçar Aristotel Guma.

Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të policisë, të cilat bëjnë të ditur se ë dielën rreth orës 19:20, Ilir Muka është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, ku ka deklaruar se vetëdorëzohet para organeve të rendit për t’iu përgjigjur akuzave në lidhje me ngjarjen.

Si transmeton BallkanWeb, mësohet se i riu ka qëndruar i fshehur në afërsi të Tiranës që prej së premtes, kur u shpall në kërkim nga policia. Për kapjen e tij, policia kishte caktuar një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që jepte informacion që do të ndihmonte në arrestimin e tij.

Gjatë një interviste ekskluzive për News24, babai i 20 vjeçarit Muka tregoi se i biri i kishte thënë në telefon se kishte shtypur aksidentalisht një person që nuk e njihte dhe më pas ishte larguar nga vendi i aksidentit. Babai i Ilirit bëri të ditur me atë rast se djali i tij kishte ndërmend të vetëdorëzohej në polici, me qetësimin e situatës së krijuar në Himarë.

Banorët e Himarës reaguan ashpër pas vdekjes së 35 vjeçarit, duke bllokuar për orë të tëra aksin nacional Vlorë-Sarandë, në shenjë proteste, me pretendimin që ngjarja kishte motive etnike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›