E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni kombetar i pastrimit

Në “Ditën e Shqipërisë së Pastër” e Qarkun e Durrësit, puna për pastrimin është përqendruar në plazhe dhe në ambjentet publike të qytetit.

Kanë qenë kryesisht forcat ushtarake të organizuara në këtë aksion si dhe nxënësit e shkollave 9-vjecare ata që janë përfshirë në këtë aksion dhe shumë pak nga administrata.

Ndërkohë që banorët e zonës janë treguar tërësisht indiferentë ndaj kësaj nisme. Rreth 50 efektivë të policisë së Durrësit të mbështetur edhe nga nxënës të shkollave të mesme kanë pastruar territorin brenda dhe jashtë godinës policore, si dhe përgjatë shumë rrugëve të qytetit bregdetar.

Në Elbasan

Repartet ushtarake të mbështetura edhe me mjete të rënda janë aktivizuar në pastrimin dhe sistemimin e një kanali të madh që kalon prane lagjeve të banuara nga komuniteti rom në qytetin e Elbasanit.

Ky aksion, së bashku me aksionin e nxënësve dhe disa prej punonjësve të administratës në zonën pyjore në periferi të Elbasanit, ishin ndër me kryesorët e organizuar në këtë qytet. Aksione të ngjashme ka patur edhe në zona të tjera.

Në Fier

Aksioni u përqendrua në pastrimin e plazhit të Semanit. Pjesëmarrja është shumë e madhe për shkak të aktivizimit të gjimnazistëve dhe punonjësve të administratës, por edhe të një numri të madh ushtarakësh.

Ishin këta të fundit, së bashku me punonjësit e Albpetrol që kanë pastruar territorin e plazhit nga mbeturinat, ndërsa pjesa tjetër e pjesëmarrësve në këtë aksion e ka shfrytëzuar këtë ditë për një shëtitje në bregun e detit.

Ndërkohë, tonelata me mbeturina urbane të shpërndara në gjithë gjërësinë e plazhit janë grumbulluar në pritje të largimit përfundimtar nga kjo zonë.

Në Lushnje

Në Lushnje puna më e madhe, përvec rrugëve të qytetit, është bërë në zonën e lumit Shkumbin. Në brigjet e këtij lumi janë hedhur prej vitesh tonelata me mbeturina që tani kanë nisur të largohen pjesërisht prej andej.

Në Korçë

Aksioni është shtrirë edhe në Qarkun e Korçës. Punonjësit e administratës nxënësit dhe ushtarakët janë përfshirë në aksion.

Gjatë pastrimit në rrugët e qytetit dhe pranë shkollave dhe institucioneve të tjera janë aktivizuar edhe banorët që kanë nisur të mbledhin mbeturinat nga ambjentet publike.

Në Shkodër

Në Qarkun e Shkodrës të gjitha shkollat, por edhe universitetet dhe administrata është angazhuar në pastrimin e ambjenteve publike. Aksione të ngjashme janë zhvilluar në të gjithë vendin.

Basha: Tirana e pastër, denonconi ndotësit

Ditës për një Shqipëri të Pastër, të shpallur nga kryeministri Berisha, i është bashkuar edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për pastërtinë e kryeqytetit.

“Qytetin e mbajmë të pastër jo për bashkinë apo qeverinë, por për veten tonë dhe fëmijët tanë. E mbajmë pastër jo vetëm duke hequr mbeturinat dhe jo vetëm për një vit”, u shpreh Basha.

Basha tha se në dispozicion të qytetarëve do të vihen dy numra telefoni ku ata të mund të denoncojnë kur vënë re hedhje të mbeturianve në rrugë.

Tiranës, tha Basha, do t’i shtohen edhe 2000 kosha të rinj dhe disa pajisje të reja pastruese. Nga ana tjetër, ai kërkoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për të paguar tarifën e pastrimit si kontribut për një Tiranë të pastër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›