Aksioni kundër ndërtimeve pa leje, OSHEE: Nuk do ketë lidhje energjie për këto ndërtesa

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka bërë me dije se nuk do të lejojë asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet pa leje. Vendimi i OSHEE vjen pas aksionit të nisur nga qeveria për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet në shkelje të ligjit.
OSHEE bën me dije se kërkesat për lidhje të reja do të monitorohen me kujdes që të shmangen përpjekjet për të anashkaluar ligjin.
“OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndërtimit. OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e OSHEE.
Në të gjithë vendin ka nisur një aksion për lirimi e hapësirave publike. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga bizneset që të nisin vullnetarisht heqjen e objekteve në hapësirat publike, duke paralajmëruar në të kundërt deri në ndjekje penale.
/rtsh.al/