E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksioni mbarëkombëtar për lirimin e hapësirave publike, Rama publikon pamje nga lirimi i hapësirave urbane në Tiranë

Kryeministri Edi Rama, pasi njoftoi javë më parë nisjen e një aksion mbarëkombëtar për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga biznese dhe individë, ndau të hënën pamje nga lirimi i hapësirave urbane në Tiranë. Kreu i qeverisë theksoi se lirimi i këtyre hapësirave i hap rrugën Rilindjes Urbane 2.0.

“Ja dhe një mur i madh “kinez” që ra sot, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0 edhe për këtë komunitet të bllokuar pas “murit” – madje për të çliruar edhe pemët e mbyllura brenda në lokal”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Nisma, e cilësuar si pjesë e “Rilindjes Urbane 2.0”, synon t’u kthejë qytetarëve trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Aksioni dhe rregullorja e re

Që nga fillimi i muajit korrik, puna për çlirimin e hapësirave ka nisur në të gjithë vendin. Rama ka theksuar se ky aksion në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, është i domosdoshëm me qëllimin për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe funksionalitetin e bizneseve, duke i përafruar ato me standardet kombëtare.

Për të rregulluar situatën në mënyrë afatgjatë, po hartohet një Rregullore Kombëtare që do të përcaktojë ligjërisht hapësirat që mund të shfrytëzohen nga bizneset.

Sipas planit të ri, 75% e hapësirës do t’i lihet këmbësorëve, ndërsa vetëm 25% do të shfrytëzohet nga njësitë e shërbimit. Gjithashtu, theksohet se nuk do të lejohet asnjë strukturë e ndërtuar në trotuare, përveçse në raste të hapësirave të bollshme dhe vetëm aty ku ka një projekt urbanistik të miratuar.

Portali ‘Hapësira ime publike’

Në kuadër të këtij aksioni, është hapur edhe portali online ‘Hapësira ime publike’. Ky portal, i cilësuar nga Rama si një “dritare e re komunikimi”, u jep mundësi qytetarëve të denoncojnë rastet e zënies së trotuareve, ndërtimeve pa leje, zaptimet dhe ndotjet. Nëse institucionet përkatëse nuk reagojnë brenda 24 orëve, qytetarët mund të plotësojnë një formular ankesash.

Deri më tani, janë denoncuar qindra raste përmes këtij portali, i cili pritet të forcojë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe autoriteteve në mbrojtje të hapësirës publike. Ky portal është një masë e rëndësishme për të mbajtur nën kontroll shkeljet dhe për të siguruar që aksioni të ketë sukses të qëndrueshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›