E Enjte, 5 Nëntor 2026

Akti Normativ, Pampuri: Qeveria do të vendosë nën kontroll politik mjekët

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Deputetja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Oriola Pampuri, në mbledhjen e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka ngritur shqetësimin se qeveria po kërkon të vërë në kontroll politik mjekët, me aktin normativ për Urdhin e Mjekut.

Pampuri u ndal në tre pika të projektligjit ku sipas saj, në të parën thuhet që një anëtar i Urdhit të Mjekut që do të punojë në institucion privat duhet t’i marrë leje titullarit të institucionit publik ku punon. Sipas saj, titullari i institucionit publik emërohet politikisht, si dhe nuk mund t’i privohet e drejta një mjeku të punojë ku të dojë pasi turnin në institucionin publik.

Një pikë tjetër që deputetja ngre shqetësim është edhe përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit i cili do rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ajo thotë se nuk ka pse përfshihet Ministria e Shëndetësisë në një institucion të posaçëm, i cili ka vite që punon dhe ka kryer detyrën e tij me sukses.

Pika tjetër ku Pampuri sheh se cënohet privatësia e Urdhit të Mjekut është edhe hartimi nga Këshilli Kombëtar i kodit të etikës dhe miratimin e tij duhet ta bëjë Ministria e Shëndetësisë, që sipas deputetes nuk ka asnjë arsye pse të përfshihet në një gjë të tillë.

Pampuri më tej thotë se është sistemi i cili ka dështuar i tëri dhe dështimet e sistemit mundohen t’ia delegojnë institucioneve duke hartuar akte normative që cenojnë pavarësinë e institucioneve që po bëjnë punën e tyre në mënyrë shumë të mirë.

Opozita deklaroi votën kundër në fund të mbledhjes së komisionit parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›