E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktivisti Baki Goxhaj rikthehet në Shqipëri: Aplikova online për t’iu bashkuar flotiljes drejt Gazës

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Sumud”, i cili u ndalua nga autoritetet izraelite së bashku me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, me destinacion Gazën, është rikthyer sot në Shqipëri.

Goxhaj mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në orët e paraditës dhe u mor në pyetje në komisariatin e Rinasit për rreth dy orë.

Në një intervistë për Report Tv, aktivisti theksoi se ishte bërë pjesë e flotiljes pas një aplikimi online.

“Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj”, tha ai.

Goxhaj theksoi se u nisën për në Gaza rreth 10 ditë më parë.

“Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur”, u shpreh ai, teksa e konsideroi si “marrje peng” ndalimin nga autoritetet izraelite.

Goxhaj u shpreh se nuk dëshiron që fëmijët e tij t’i rrisë në një botë ku gjenocidi ndaj fëmijëve të tjerë është normal.

“Ndihem krenar që isha pjesë që provova një pjesëz, të dhunës që palestinezët provojnë çdo ditë. Nuk dua të rris fëmijët e mi në një botë ku gjenocidi ndaj fëmijëve të tjerë është normal. Jam krenar që isha në këtë mision edhe pse synimi parësor i misionit dështoi, hapja e një korridori humanitar. Synimi dytësor, rritja e solidaritet me popullin e Gazës dhe rritja e vetëdijes për këtë plagë të hapur në botën tonë, ishte i suksesshëm. Ky mund ia vlejti”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›