E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Edhe gara e dytë për portin e Porto Romanos pa sukses, masa për rivitalizimin e projektit

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se gara e dytë e shpallur për portin e Porto Romanos nuk rezultoi e suksesshme, por po vlerësohen të gjitha masat që mund të merren, në mënyrë që projekti të rivitalizohet sa më shpejt.

Në konferencën e sotme për shtyp duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me ecurinë e projektit të Portit të Porto Romanos, Karakaçi tha se “ofertuesi i fundit që ishte i shpallur i suksesshëm nuk arriti që të sillte kontratën e tij financiare dhe bëri një komunikim zyrtar me Autoritetin Portal të Durrësit duke informuar që e kishte të pamundur të sillte një ofertë financiare për shkak të rritjes së kostove”.

Sipas tij, porti i Porto Romanos është një nyje strategjike, sa i përket Korridorit të 8-të, në lëvizjen e eksportit të mallrave jashtë qytetit të Durrësit, por edhe për mbrojtjen, pasi NATO ka interes për të qenë pjesë e të gjithë korridorit.

“Ne jemi në komunikim të brendshëm të vazhdueshëm. Do t’i japim një zgjidhje në mënyrë shumë të shpejtë. Jemi duke bërë bashkëpunim përsëri shumë intensiv me konsulentin Royal Haskoning, që është ndër konsulentët më të mirë në botë për sa i përket porteve”, tha Karakaçi.

Ministri garantoi se do të ketë informacion sapo të ketë përgjigje përfundimtare për mekanizmin e zgjedhur.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›