Aktorë dhe rrogë
Kush punësohet në vendet e Rajmonda Bulkut dhe Luiza Xhuvanit, dy aktoreve deputete në Teatrin Kombëtar
Dy aktore të Teatrit Kombëtar, Rajmonda Bulku dhe Luiza Xhuvani janë tashmë deputete të Parlamentit Shqiptar. Ato bënë shkëputjen nga organika e këtij teatri, nga rrogat mujore dhe firmat në bordero. Vendin e tyre e kanë zënë dy të tjera, Eva Alikaj dhe Erjona Kakeli.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, tha për gazetën se zgjedhja e të dyjave është bërë në formën "më klasike", në bazë të Curriculum Vitae-s së secilës. "Pse si bëhet ndryshe, thoni ju?", pyet atë që e pyeti, drejtori Skrami.
Ai shtoi se nuk duhet të kemi dyshime për Alikajn. Me gjithë emigrimin, ajo ka lënë gjurmë në këtë skenë, ka luajtur te komedia e Adelina Balashit, po edhe Xhuljetën te tragjedia e Shekspirit - ka qenë aktore e të quajturit dikur Teatri Popullor, thekson Skrami - dhe sot është aktive. Së shpejti shfaqet protagoniste te drama e Edward Albee-it "Kush ka frikë nga Virginia Woolf".
Ndërsa Kakeli ka disa vjet që është diplomuar në Akademinë e Arteve. Është angazhuar pak në teatër dhe kinema dhe pothuajse asnjë rol në Teatrin Kombëtar.
Mund të jetë e treta aktore femër (ose thjesht aktor i ri) që hyn në organikë këto pesë vite. Përmendim Ermela Telin, dhe më në fund punësimin e Holta Dakos që edhe pa qenë rrogëtare ishte e preferuara e regjisorëve.
E çuditshme është se tani shfaqet më pak se dikur. A thua Teatri Kombëtar i ndrydh ata që hyjnë aty, i ndrydh edhe kur veshin kostumin e një roli që jo vetëm s'u rri, po i tregon edhe qesharakë.
Jo gjithmonë dukjet dhe zhdukjet nga skena, zgjedhjet dhe moszgjedhjet nga regjisorët janë tregues i aftësive dhe cilësive të aktorit.
Ka aktorë që tërhiqen me vetëdije për të dalë në momentin e caktuar. Për fat të keq, këta janë pak. Ka aktorë që i kanë rolet pas perdes. Këta duket sikur hyjnë në skenë duke hequr pantallonat e rolit paraardhës.
Ka diçka të ngjashme kjo situatë për aktoret e sapolarguara, Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku.
E para kishte karakteristikë punën e palodhur me botën e personazheve, por ishin kaq të shpeshtë një kohë, sa puna e tepërt i kthehej kundër.
Kurse e dyta, ka qenë gjithë jetën aktore në Teatrin Kombëtar dhe me zor nxori pak role në vitet e fundit (Pjata prej druri, Hijet e natës, Trojanët, Të gjithë me huqe) figura e të cilave është e diskutueshme.
Ka edhe të tjerë të punësuar me CV me role estradash që sot janë rrogëtarë dhe s'kanë bërë akoma një "gol". Le të urojmë që së paku aktorja e re e sapopunësuar, Erjona Kakeli, të mos e ketë atë fat.
Pyetjen "Si punësohen aktorët në Teatrin Kombëtar?" që drejtorin Skrami e gjen me gojë hapur, po e kthejmë atje ku e gjetëm, pas kapicës ku fle "dreqi që s'duhet zgjuar", te problemet më të mëdha se politika e punësimit, që ky institucion i plakur dhe gjumash ka.