E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset polici gjatë një operacioni arrestimi

SARANDË/ Roland Merko, oficer në qytetin bregdetar, është plagosur me thikë nga një person i akuzuar për grabitje

Mësohet se uniformat blu kishin shkuar për të arrestuar tre vetë që kishin kryer 10 vjedhje me armë


SARANDË- Shkon për të arrestuar grabitësit, por mbetet i plagosur oficeri i policisë. Ngjarja ndodhi të martën në qytetin e Sarandës. Policia ka mundur të vërë në pranga vetëm njërin prej agresorëve, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim.


Mësohet se grabitësit akuzoheshin për kryerjen e 10 vjedhjeve me armë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se polici i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Plagosja

Roland Merko, me detyrë oficer policie në komisariatin e qytetit bregdetar, ka mbetur i plagosur pasditen e së martës, gjatë një operacioni për neutralizimin e tre personave që dyshoheshin se kishin kryer një sërë grabitjesh gjatë ditëve të fundit.


Pas një sërë informacionesh të marra në rrugë operative për vendndodhjen e tre të dyshuarve, është organizuar aksioni për ndalimin e tyre, i cili ka filluar rreth orës 14:00 të së martës. Informacionet flisnin për praninë e tyre në banesën e njërit prej tyre në lagjen nr. 3 në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Mish-Peshkut".


Në momentin kur efektivat e policisë po ushtronin kontroll në banesën e tre autorëve, në befasi oficeri i policisë Roland Merko është qëlluar me grushta dhe me sende të forta. Në përpjekje për t'u vetëmbrojtur, Merko ka nxjerrë armën e zjarrit që mbante me vete dhe e ka shkrepur atë një herë në ajër.


Pas kësaj, pistoleta i është bllokuar. Tre agresorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke e plagosur qëllimisht në këmbën e djathtë punonjësin e policisë, për të penguar ndjekjen.


Informacionet e marra pranë komisariatit të policisë në Sarandë në lidhje me këtë ngjarje kanë bërë të ditur se një nga tre agresorët që plagosën qëllimisht me armë të ftohtë (thikë) oficerin e policisë Roland Merko, është ndaluar një orë pas ngjarjes.


Akuzat


"Shtetasi Geard Cocka, i shpallur në kërkim për vjedhje është ndaluar pas një rezistence që ka bërë në momentin e arrestimit, ndërkohë dy bashkagresorët e tjerë: Xhaferr Bahja dhe Roland Aliaj janë larguar në drejtim të paditur", kanë bërë të ditur këto burime. Geard Cocka, Xhaferr Bahja e Roland Aliaj, sipas hetimeve, janë autorët e një sërë grabitjesh të ndodhura.


Ata ishin skeduar si persona me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë dy javëve të fundit kanë konsumuar mbi 10 vepra penale, duke vjedhur me armë disa biznese në qytetin e Sarandës.


Ndërkaq, oficeri i policisë është transportuar menjëherë për në spitalin civil "Petro Nako" të qytetit të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjekët kanë deklaruar se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, megjithatë është kërkuar ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërhyrje më të specializuar.


"Pacienti ka marrë plagë të shumta në trup, kryesisht shembje dhe një plagosje në këmbë, por aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Gjendja shëndetësore e tij është stabilizuar, por për shkak të plagëve të marra është kërkuar ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë për të mundësuar transportimin e oficerit të policisë në Tiranë për një mjekim më të specializuar", janë shprehur mjekët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›