E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza në hetuesi: Blloshmi ka folur e shkruar kundër regjimit

Vilson e Lume Blloshmi

Në pjesën më të madhe, raportet e agjentëve të fshehtë që gjurmonin Vilson Blloshmin u referoheshin bisedave me karakter armiqësor të konsumuara në mjedise të ndryshme. Së paku, ato që artikuloheshin si lëndë e parë në akuzën e hetuesve, ishin produkt i drejtpërdrejt i këtij komunikimi të fshehtë.I vetmi ndryshim në përballjen e poetit me njerëzit e akuzës, ishte fakti se, tashmë para tij nuk vinin vigjilentët, por një shpurë tjetër e parapërgatitur për të dëshmuar ligjërimet e tyre. I vetëdijshëm për këtë praktikë tinzare, Blloshmi në të gjitha rastet u tregua mohues e shpërfillës. E vetmja akuzë që nuk mund ti dredhonte, ishte pakënaqësia ndaj pushtetit popullor. Kam shprehur vërtetë pakënaqësi, pasi më mohuan të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesit, vetëm për çështje biografie, pranonte poeti përballë hetuesit Ligor Kondili. Sakaq rrëfente paradoksin e sjelljes së regjimit me njerëzit e familjes së tij, duke riprodhuar historinë e saj, pa fshehur krenarinë për të. Për poetin cilësimet veprimtari armiqësore, agjitacion e propagandë, të përmendura shpesh në ligjëratat e hetueseve, ishin vetëm absurditete vulgare. Po si reagoi Vilson Blloshmi deri në fund të seancave hetimore që vazhdonin deri pas mesnate…
Hetimet e datës 1.9.1976
Unë Ligor Kondili, hetues i Degës P. Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Vilson Blloshmi.
Pyetje: Në ditarin tuaj keni shkruar: 11 mars u takova me mikun tim të vjetër, Ladin. Çfarë keni biseduar me Ladin kur jeni takuar?
Përgjigje: Në këtë datë unë kam dashur të shkoj në Korçë dhe kam ndenjur për të fjetur në Pogradec. Atë natë unë jam takuar me Vladimir Pionin. Me të jam njohur në kohën që kam qenë në ushtri. Kam biseduar vetëm rreth martesës, nuk kam zhvilluar ndonjë bisedë armiqësore. Shok tjetër kam Sami Hykën, me të cilin kam  qenë në shkollë. Me të kam pasur shoqëri dhe nuk kam pasur ndonjë grindje. Për herë të fundit unë jam takuar më datën 25 korrik 1976, ditën që po festohej 35-vjetori i Batalionit të Bërzeshtës. Me këtë person nuk kam pasur rast të bëj ndonjë bisedë intime, me përjashtim të bisedave dhe të halleve familjare të përditshme. Ditën e fundit unë i tregova një anekdotë që kishte lidhje pak a shumë me fatin tim të keq.
Pyetje: Nga niseni ju i pandehur se fati juaj kaq ishte?
Përgjigje: Këtë unë e kam thënë mbasi kisha mbaruar shkollën e mesme dhe nuk më ishte dhënë e drejta për të vazhduar arsimin.
Pyetje: Në ditarin tuaj kini shkruar Data 16 mars, unë udhëtova për në Bërzeshtë me mikun tim të afërt Qela Poçi, unë prita për disa gjëra në xhami shokun tim. Natë. Çfarë keni dashur të thoni me këto fjalë, kush është ky miku juaj Qela Poçi?
Përgjigje: Në këtë datë unë kam udhëtuar me këtë kushëririn tim Qela Poçin…
Hetimet e datës 9.9.1976
(Hetimet fillojnë në orën 21:00 dhe mbarojnë në orën 02:00)
Pyetje: Çfarë keni për të thënë rreth akuzës që ju bëhet për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor?

Vilson Blloshmi në vitet e shkollës

Përgjigje: Unë nuk kam bërë agjitacion dhe propagandë kundër pushteti popullor.
Pyetje: Na shpjegoni ju i pandehur se me cilët persona keni zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër pushteti popullor?
Përgjigje: E thashë edhe një herë, unë nuk kam zhvilluar agjitacion dhe propagandë.
Pyetja: Na shpjegoni i pandehur se me cilët persona e keni zhvilluar aktivitetin tuaj armiqësor.?
Përgjigje: Nuk kam zhvilluar aktivitet armiqësor kundër partisë dhe pushtetit popullor.
Pyetje: Në procesin e datës 12.8.1976, ju i pandehur keni thënë se, meqenëse juve nuk ju është dhënë e drejta për të ushtruar profesionin e arsimtarit, kjo ju bënte të mendonit dhe të ndienit pakënaqësi kundër pushtetit popullor, i cili ua kishte privuar këtë të drejtë?
Përgjigje: Është e vërtetë se mua nuk më ka ardhur mirë që nuk më është dhënë e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar, kjo nuk më është dhënë, sepse kisha përbërje politike të keqe. Kjo më ka lindur mbasi unë mbarova shkollën e mesme në vitin 1966.
Pyetje: Në një nga blloqet tuaja është shkruar nga ju: Kur e tanishmja është e tmerrshme, njeriu jeton me kujtesën e të kaluarës, por çngel për mua, as e kaluara as e tanishmja nuk më qetëson aspak, por më hidhëron më tepër, e brenda meje kjo ndjenjë rritet dita-ditës? Çfarë kini dashur të thoni, ju i pandehur, me këtë?
Përgjigje: Unë në vitin 1972 e shikoja veten time të mërzitur dhe jetën time e shikoja të tmerrshme, prandaj jetoja me kujtesën e të kaluarës, unë në këtë vit isha i sëmurë.
Pyetje: Çfarë të kaluar kujtoni ju, i pandehur?
Përgjigje: Unë kujtoja të kaluarën time.
Pyetje: Çfarë të kaluare kishit ju i pandehur, kur  në kohën që jeni rritur, babai juaj ka qenë në burg për agjitacion e propagandë?
Përgjigje: Këtë kujtesë me të kaluar të keqe kujtoja unë, atëherë unë isha bërë pesimist për jetën. Unë si të kaluarën dhe të tanishmen e kisha të keqe, mërzitesha dita-ditës më tepër.
Hetimet e datës 9 maj 1977
Unë Selim Caka, hetues në D.P. Brendëshme Librazhd rimarr në pyetje të pandehurin Vilson Blloshmi.
Pyetje: Çfarë keni biseduar ju i pandehur me të pandehurin Genc Leka lidhur me jetën në kooperativë?
Përgjigje: Unë kam folur edhe një herë për këto probleme edhe kur jemi ballafaquar me Gencin. Pra, nuk kam diskutuar asgjë armiqësore me këtë njeri dhe me asnjë tjetër. Me Gencin kam diskutuar tema të lira që nuk përbëjnë asgjë armiqësore dhe nuk dijë që ti kem thënë atij ndonjë gjë armiqësore, qoftë për jetesën në kooperativë, apo për tema të tjera.
Pyetje: Ju i pandehur keni biseduar me të pandehurin Demir Blloshmi, pas arrestimit të vëllait tuaj dhe, në qoftë se po, çfarë keni biseduar?
Përgjigje: Unë nuk e kam takuar më Demirin, dhe nuk i kam thënë asgjë qoftë për vëllanë që iu arrestua dhe për asgjë tjetër, pavarësisht se çfarë mund të thotë Demiri. Me Demirin si përpara dhe pas arrestimit të tij nuk kam biseduar për asnjë problem armiqësor.
Pyetje: Iu lexua procesverbali i pyetjeve të të pandehurit Demir Blloshmi, dt.25.5.1977 dhe ju drejtua pyetja çfarë keni për të thënë?
Përgjigje: Unë e dëgjova këtë dhe kam për të thënë se nuk janë të vërteta ato që ka deponuar Demiri.

vijon…

Dashuroj poetët,urrej hajdutët

Tërë jetën kam dashuruar poetët dhe kam urryer hajdutët e spiunët. Rebelimi i Vilson Blloshmit arrin kulmin kur, i vënë përpara akuzën për  përvetësimim të pasurisë kooperativiste, pas pohimeve të dëshmitarëve të manipuluar se e kanë parë duke vjedhur fasule, grurë e raki në depot e fshatit, poeti gati shpërfytyrohet dhe hedh poshtë me neveri akuzat e tyre. Nuk ishte fjala për fakte e prova reale, por vetëm sa për të zyrtarizuar penalizmin e Blloshmit që, me sa duket, ishte paracaktuar për dënim kapital. Me aq sa ishte konsumuar deri në ato çaste në hetuesi, akuza fokusohej te agjitac

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›