E Martë, 3 Nëntor 2026

Akuza për blerje votash, Policia e Korçës: Nuk u konstatua asnjë veprim i kundërligjshëm

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qenë duke u ofruar shuma parash në këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.

Sipas njoftimit të Policisë, si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe të krimeve kundër personit.

Në njoftim thuhet se nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundërligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.

“Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.

Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese”, cilësohet në njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë garanton qytetarët dhe subjektet politike se strukturat e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin, parandaluar dhe goditur paligjshmërinë me qëllim krijimin e një ambienti akoma dhe më të sigurt.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›