Rama: Reformën në drejtësi e ka bërë PS që drejtësia të godasë majtas dhe djathtas

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, reformën në drejtësi e ka bërë PS ekzaktësisht që të bëhet një institucion, një instrument drejtësia që të godasë majtas dhe djathtas.
Në një intervistë televizive Rama duke folur për hyrjet në universitet, u shpreh se, “që kur ne bëmë ndërhyrjen dhe bëmë transformimin e procesit të hyrjes, nuk ka më ankesa, s’ka pasur më ankesa kush po hyn dhe kush s’po hyn. Bëheshin me rrëmujë dhe korrupsion, nuk ankohet më njeri. Bëhet me platformë, hyn”.
“Rekrutimi i mësuesve ka qenë një problem i madh korruptiv, me lekë. Mësues, mjekë, infermierë me lekë, nuk ndodh më, nuk i shkon më mendja njeriu që mund të paguash lekë të futesh mësues, të bëhesh infermier. Tani të gjitha këto janë sistem, nuk janë muhabete. Janë të gjitha sistem”, tha Rama.
I pyetur lidhur me zyrtarët e burgosur, Rama tha se, “ky është rezultati i “gijotinave mediatike” dhe i faktit që të gjitha mexheliset e debatit mediatik qofshin studio, qofshin portale, merren 95% me këtë punë. Ndërkohë që e vërteta e fakteve është ndryshe, shumë ndryshe”.
“Nga njëra anë është e qartë dhe nuk diskutohet, sepse ky ka qenë qëllimi ynë, reformën në drejtësi e kemi bërë dhe e kemi bërë ekzaktësisht për këtë gjë, që të bëhet një institucion, një instrument drejtësia që të godasë majtas dhe djathtas. Dhe fakti që ka goditur majtas dhe djathtas është vlerë e krijuar nga reforma që ne kemi bërë. Nuk është për të pasur ndonjë shqetësim”, tha Rama.
Duke folur për inceneratorët, Rama tha se, “projekti është absolutisht i duhuri, plani është absolutisht legjitim, dhe pikërisht pse brenda gjithë procesit të projektit ka pasur individë të cilët kanë nxjerrë përfitimet e tyre, është dhe pjesa që ka të bëjë me korrupsionin”.
Rama nënvizoi se, “nuk është paguar asgjë, zero për të bërë inceneratorët. Për Tiranën flasim këtu. Të tjerat dy inceneratorët e tjerë nuk janë bërë me paratë e shtetit, janë bërë me paratë e privatit. Inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit janë ndërtuar nga privatët dhe shteti në mënyrë periodike ka paguar për vite të tëra, deri sa tani i ka marrë në pronësi”.
Për inceneratorin e Tiranës, Rama tha se, “nuk është paguar për incenerator, është paguar një kontratë në një partneritet me një privat, i cili duhet të garantonte sistemimin e landfillit që ishte në një moment bombe dhe duhet të fillonte të investonte”.
/a.f/r.e/