E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzat e Këlliçit ndaj Braçes, Policia: Nuk gjetëm materiale kompromentuese

Policia e Tiranës ka reaguar mbi njoftimin e bërë nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike Belind Këlliçi i cili pretendoi se brenda një ambienti privat që funksiononte si zyrë elektorale, persona të PS-së dhe deputetit Erion Braçe organizoheshin blerje votash.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshëm.

Personat e pranishëm, theksohet në njoftimin e bluve të kryeqytetit, u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.

“Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›