Akuzat e PS, reagon kompania: Janë të pabaza
Akuzat e Partisë Socialiste për korrupsionin e qeverisë ku si përfitues shfaqen palë të treta, që janë kompani ndërkombëtare, kanë sjellë reagime të forta. Kompania e eksplorimit dhe përpunimit të naftës dhe gazit “Stream Oil” & “Gas Ltd” ka deklaruar dje përmes Sotirios Kapotas, president dhe drejtor ekzekutiv se akuzat e fundit për kompaninë janë denigruese dhe të pabaza. Në një deklaratë të posaçme për shtyp, ai ka dhënë detaje rreth kompanisë, atë se çfarë ajo përfaqëson, aksionerët, rezidencën dhe qëllimet dhe kuotën e investimit në Shqipëri. Nervozizmi prej deklarimeve të fundit opozitare është bërë i kuptueshëm në pyetjet e fundit që Kapotas ka drejtuar për ekipin politik shqiptar: “Do të doja të pyesja që, si qeveria shqiptare ashtu edhe opozita të na bëjnë me dije publikisht nëse: investitorë si ‘Haywood’, ‘JP Morgan’, CIM, ‘TD securities’ etj., që kanë investuar miliarda dollarë në projekte të tilla energjetike në të gjithë botën (që kanë zgjedhur të investojnë në Shqipëri, duke mbajtur kontrollin kryesor të ‘Stream’) janë ose jo të mirëpritur që të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri??”, thuhet në deklaratën e Kapotas. Replika socialiste për të është përcjellë dje nga zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, e cila ka bërë me dije se objekt i akuzave të PS ka qenë korrupsioni i qeverisë dhe jo kompanitë që investojnë.
#