E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta merr premtimin për shtimin e investimeve libaneze

Bejrut Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm takon homologun e tij Al Chami

Libani dhe Shqipëria do të formalizojnë së shpejti organe shtetërore të përbashkëta për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike. Në këtë kuadër, vizita e ministrit të Jashtëm Ilir Meta në Lindjen e Mesme ka kapërcyer në Bejrut standardin e përhershëm të kontakteve të tilla. Ajo ka sjellë në Shqipëri një seri marrëveshjesh me rëndësi, përfshirë edhe mbajtjen së afërmi të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik mes Shqipërisë dhe Libanit, me qëllim shtimin e numrit të investitorëve libanezë në Shqipëri. Po kështu, sipas njoftimeve të Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Jashtme në takimin e zhvilluar dje mes Ilir Metës, dhe homologut të tij libanez, Ali Hussein Al Chami, është rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme, si ajo për heqjen e taksimit të dyfishtë, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, në fushën e kulturës, turizmit, mjekësisë, një protokolli të posaçëm bashkëpunimi mes Ministrive të Punëve të Jashtme, heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, si dhe mbajtjen e konsultimeve periodike diplomatike mes dy MPJ-ve. Nga ana e tij, ministri libanez i Jashtëm, Al Chami, ka vlerësuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe rolin e saj konstruktiv në rajonin ballkanik. Ndërkohë në ndryshim nga vizita në Siri, Libani ka qenë një destinacion më i hapur për Metën, i cili po dje është pritur në takim nga Kryetari i Parlamentit, Nabir Berri, me të cilin bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë parlamentar. Ministri i Jashtëm shqiptar ka përsëritur edhe një herë njohjen e pavarësisë së Kosovës, në dritën e zhvillimeve të reja pas dhënies së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e cilësoi deklaratën e Pavarësisë konform me të drejtën ndërkombëtare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›