Akuzat e PS-së për reklamat, reagon Kryeministria

Kryeministria ka reaguar sot pas akuzave të Partisë Socialiste për shpërndarjen e reklamave shtetërore.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e kryeministrisë Erla Mëhilli ka theksuar se kreu i PS-së Edi Rama po i rikthehet politikës së bllokimit.
“Kreu i Partisë Socialiste, i cili nga viti 2006 deri ne vitin 2011 si kryetar i Bashkisë së Tiranës, të gjitha reklamat, njoftimet televizive dhe ato në mediat e shkruara të vendit në tërësinë e rasteve ja u dhuroi vetëm 1 televizioni kombëtar dhe 2 televizioneve lokale që ai kontrollonte, si dhe 3 gazetave të tij, madje shpesh duke shkelur rregullat e prokurimit publik, bërtet tani se qeveria në shpërndarjen e reklamave dhe njoftimeve paska favorizuar disa media të caktuara dhe diskriminuar të tjera” theksoi Mëhilli.
Sipas saj, kryeministri është kufizuar në shpërndarjen e reklamave në 3 televizionet kombëtare për shkak të fondeve. "Jam këtu për të informuar qytetarët shqiptarë, se me porosi të Kryeministrit, në të gjitha fushatat informuese të këtij institucioni gjithçka është bërë në përputhje me rregullat e prokurimeve publike dhe se spotet televizive u janë shpërndarë 3 televizioneve kombëtare, kurse njoftimet në mediat e shkruara janë shpërndarë në të gjitha mediat pa asnjë dallim. Qeveria shqiptare është kufizuar në këtë shpërndarje me 3 mediat kombëtare për shkak të fondeve duke kujtuar këtu se ka shpenzuar për veprimtaritë informuese ,4 deri në 7 herë më pak se çdo qeveri e rajonit e më gjerë" shtoi Mëhilli.
Ajo ka theksuar se të gjitha mediat që kanë transmetuar fushatat informuese të qeverisë janë paguar në përputhje me kohën dhe shpeshtësinë që kanë marrë përsipër për ti transmetuar ato.
“Jam sot këtu për ti kërkuar zotit Rama të heqë dorë nga bllofet dhe trillimet e tij. Tu shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse ai në dhjetëra e dhjetëra veprimtari informative të Bashkisë së Tiranës përjashtoi të gjitha mediat e tjera përveç mediave që përmenda më sipër. Qëndrimi përjashtues ndaj shumicës së mediave të vendit përbën një dëshmi të intolerancës së tij, por dhe të abuzivitetit të pakufizuar me ligjet dhe paratë e qytetarëve të Tiranës” shtoi ajo.
Mëhilli ka shtuar më tej se qeveria shqiptare siç ka realizuar me sukses fushatat informuese si në rastin e liberalizimit të vizave apo proceseve të tjera madhore të vendit, do të vazhdojë më tej duke garantuar mediat se pavarësisht nga orientimi i tyre, ato nuk janë diskriminuar e as nuk do të diskriminohen, siç ka bërë ish kryetari i Bashkisë Edi Rama.