Akuzat e Prokurorisë, Bukoshi e Haraçija pezullim nga detyra?

Burime zyrtare nga kabineti i Ministrave në Kosovë deklarojnë se, për shkak të akuzave të ngritura nga Prokuroria ndaj Bujar Bukoshit dhe Astrit Haracisë, këta të fundit do të shkarkohen nga detyrat përkatëse që mbajnë në ekzekutivin kosovar. Vetë Bukoshi nuk e ka përjashtuar dorëheqjen, ndërsa Haracija e ka përjashtuar këtë.
Dy anëtarët e listës “Ibrahim Rugova” që udhëhiqet nga Ukë Rugova, i cili me një mandat deputeti ka arritur të marrë tre poste të larta në Qeveri në kuadër të koalicionit qeverisës, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe ajo e Qarkut të Prishtinës për shpërdorim të detyrës zyrtare. Njëri për veprimet që po cilësohen kriminale për punën në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, e tjetri për ato në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve. Prokuroria speciale e Kosovës ka ngritur akuza ndaj zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi edhe njëmbëdhjetë personave të tjerë, mes të cilëve dhe ish-sekretari i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj.
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës kundër zëvendëskryeministrit Bukoshi, i cili dyshohet për vepra që lidhen me punën e tij disamujore në krye të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë mandatit të qeverisë së kaluar të Kosovës. Krasniqi tha se të gjithë të dyshuarit akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratave të dëmshme, mitmarrje, nxirrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore si dhe pengim të provave.
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme Bukoshi u largua nga LDK dhe formoi Listën Ibrahim Rugova bashkë me djalin e Presidentit historik, me të cilën hyri në koalicion me PDK-në e Kryeministrit Thaçi. Lista Ibrahim Rugova ka postin e zëvendëskryeministrit, ministrit të Ambientit dhe disa zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës.