Akuzat e opozitës për parregullsi, Balla: Alibi për mosnjohjen e rezultatit të 11 majit

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla iu përgjigj sot akuzave të opozitës për manipulime me votat e diasporës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla i cilëson këto reagime si “klithma të përfaqësuesve të kënetës”, që sipas tij, kanë nisur të ndërtojnë alibinë për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.
“Na paskan ‘zbuluar’ një skandal të madh, se gjoja fletët e votimit janë hedhur rrugëve. Në fakt, alibia ka ditë që përgatitet me konferenca për shtyp, ndërsa sot shpërtheu me fotografi zarfe-sh në Facebook,” shkruan ai.
Sipas Ballës, procesi i shpërndarjes është realizuar nga KQZ në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare DHL, pjesë e Deutsche Post. Ai thekson se shteti shqiptar ka paguar për shpërndarjen e fletëve të votimit në shtëpitë e qytetarëve që jetojnë jashtë dhe për rikthimin e tyre. Megjithatë, për shkak të disa vështirësive, një pjesë e votuesve janë detyruar t’i tërheqin personalisht zarfat në zyrat postare.
“Afro 10% nuk e kanë marrë ende për shumë shkaqe. Ky proces ka dhe 5 ditë (deri të premten, të paktën nga Greqia dhe Italia, DHL ka ende kohë të bëjë gjithçka për t’i sjellë në kohë|, shkruan Balla.
Sipas tij, klithmat nga këneta duken qartë që s’kanë asnjë lidhje me procesin, por janë pjesë e skenarit për dosjen e “zezë” të zgjedhjeve të 11 majit.
Balla apeloi votuesit në diasporë të nxitojnë e të bëjnë gjithçka ta nisin votën për Shqipërinë Europiane, si u shpreh ai “ta thajmë përfundimisht kënetën megjithë buf, bretkosa, gjarpërinj e ç’ka brenda”.