E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat, reagon shoqëria “Tajvan”: Toka është blerë nga privatët

TIRANË- Drejtuesit e shoqërisë “Tajvan” reagojnë mbi deklaratat e qeverisë lidhur me pronësinë e tokës mbi të cilën është ndërtuar kompleksi. Ata shpjegojnë se godina e Tajvanit është blerë nga pronarët e truallit, ndërsa disa shtesa janë legalizuar në bazë të ligjit ekzistues.

“Në radhë të parë duhet të sqarojmë publikun se trualli ku ushtrojmë aktivitetin është ndërtuar në një sipërfaqe 1815 metra katrorë, të blerë nga persona privatë. Kjo blerje është bërë në vitin 2001 dhe më pas e kemi pajisur me leje ndërtimi për 2 kate nëntokë dhe 2 katë mbi tokë. Përsa i përket sipërfaqes prej 1310 metra katrorë, sqarojmë se bëhet fjalë për një shtesë ndërtimi bodrum. Kjo sipërfaqe toke është blerë në përputhje me ligjin përkatës të legalizimeve. Vlera e legalizimit që është paguar është 500 mijë dollarë. Nëse legalizimi do të ishte bërë sot, vlera e legalizimit do të ishte 10 mijë dollarë, pra kemi paguar një shumë 50 herë më të lartë”, sqaron drejtuesi i shoqërisë “Tajvan”.

Drejtuesit e shoqërisë Tajvan hedhin poshtë deklaratat e ministrisë së Punëve Publike, për favorizim nga Bashkia e Tiranës. Ata e mbështesin këtë në faktin se kishin aplikuar për ndërtimin e një godine 20 katëshe për zyra dhe shërbime, ndërkohë që u miratuan vetëm dy kate. Gjithashtu, drejtuesit e shoqërisë bëjnë të ditur se në të gjithë parkun Rinia, përfshi këtu shatërvanin dhe rrugën “4 Shkurti”, kanë kryer një investim me vlerë 1 milion dollarë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›