E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzohej për gjobvënie, gjykata e shpall të pafajshëm

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli dje të pafajshëm për mungesë provash 31-vjeçarin Marenglen Doga, i akuzuar nga prokuroria për gjobëvënie ndaj një biznesmeni

Tiranë Një i akuzuar për gjobëvënie u shpall dje i pafajshëm nga Gjykata për Krime të Rënda. Pas disa seancave gjyqësore të shtyra, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku, vendosi të shpallë të pafajshëm shtetasin Marenglen Doga, i akuzuar për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie. Lajmi u bë i ditur nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila nëpërmjet një deklarate për mediat tha se “gjykata deklaroi të pafajshëm të pandehurin Marenglen Doga për kryerje të veprës penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Si argument për këtë vendim gjykata ka deklaruar se nuk provohet që i pandehuri Doga ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Marenglen Doga u arrestua në shtator të vitit të shkuar, pasi dyshohej për gjobëvënie ndaj një biznesmeni, të cilit i kishte kërkuar shumën e 100 mije eurove nëpërmjet telefonit. Pas arrestimit, policia tha zyrtarisht se Doga ka kërcënuar biznesmenin në fjalë, ndërsa ndalimi i tij u krye pranë sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet, ku ishte caktuar takimi me biznesmenin, i cili do të dorëzonte dhe shumën e parave të kërkuar nga i dyshuari. Por i arrestuari Doga mohoi akuzat e policisë dhe prokurorisë, duke thënë se kishte njohje personale me biznesmenin, të cilit nuk i kishte vënë gjobë. Ky pretendim nuk u mor parasysh nga gjykata, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, duke mbajtur në qeli të dyshuarin deri në përfundim të procesit hetimor dhe gjyqësor në ngarkim të tij. Pikërisht ditën e djeshme përfundoi procesi gjyqësor ndaj të dyshuarit, ku Doga u shpall i pafajshëm nga Gjykata. Arrestimi i Marenglen Dogës u krye rreth mesditës së 29 shtatorit të vitit të shkuar në afërsi të sheshit “Nënë Tereza”, ku ishte lënë dhe vendi i takimit për dorëzimin e 100 mijë eurove. Sipas njoftimit të policisë, që u shpërnda menjëherë pas përfundimit të operacionit “Target”, bëhet me dije se 31-vjeçari nga Vlora është dënuar me 10 vjet burg për vrasje. “Në vitin 2004 ka vrarë në qytetin e Vlorës shtetasin Isuf Gjoni, vepër penale për të cilën është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me 10 vjet burg. Po në vitin 2004 Gjykata e Bolonjës e ka dënuar shtetasin Marenglen Doga me 20 vjet burg për vrasjen e shtetasit shqiptar A.L., vepër penale e kryer në vitin 2000 në qytetin e Ravenas Itali”- tha policia pas arrestimit të të dyshuarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›