Akuzoheshin për kultivim narkotikësh dhe dhunë në familje, kapen në Greqi dhe Itali dy shtetas shqiptar, ekstradohen drejt vendit tonë

Policia e Shtetit, bën të ditur se, falë bashkëpunimit me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar është bërë e mundur arrestimi në Greqi dhe është ekstraduar për në Shqipëri një shtetas, i cili akuzohet si bashkautor në kultivimin e bimëve narkotike në Ulëz të Matit, Qarku Dibër, në vitin 2022.
Ndërsa në Itali është kapur dhe është ekstraduar drejt vendit tonë një shtetas i dënuar për dhunë në familje.
“Si rezultat i koordinimit të punës informative dhe operacionale me homologët grekë, nëpërmjet strukturave të Interpolit në Tiranë dhe në Athinë, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u kap nga policia greke shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, N. K., alias N. T., 34 vjeç. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se është njëri nga autorët e kultivimit të bimëve narkotike, në një parcelë në Njësinë Administrative Ulëz, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia”, njofton policia.
Policia bën të ditur se si rezultat i bashkëpunimit me partnerët, në kuadër të operacionit “The Wanted”, në Milano, Itali, u kap shtetasi O. J., alias O. Ç., 44 vjeç, dhe u finalizua procedura për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, e ka dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”.
/rtsh.al/