E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzohet për korrupsion me inceneratorin e Tiranës, SPAK: Pesë vite burg Alqi Bllakos

Nga Blerina Cene

Pesë vjet dënim kërkoi SPAK për ish- numrin dy të ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Nga Struktura Antikorrupsion zyrtari i kohës dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv me inceneratorin e Tiranës, e për këtë arsye prokuroria kërkon që ai të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet.

Në konkluzionet përfundimtare SPAK kishte përpiluar 52 faqe që provonin sipas akuzës, se Alqi Bllako ka kryer vepra korruptive në dy episode të ndryshme gjatë detyrës së tij si sekretar i përgjithshëm i ministrisë së mjedisit, që drejtohej nga Lefter Koka.

SPAK thotë se ai ka sugjeruar Vladimir Bezhanin që të punësohej si këshilltar i jashtëm i ministrisë, që do të ndihmonte në ndërtimin e impiantit të incenerimit të mbetjeve në Tiranë. Bezhani është një nga njerëzit kyç që lidhet me Klodian Zoton, përfituesi i koncesionit dhe pronari i Integrated Technology. Për të vendosur në punë Bezhanin, SPAK thotë se Alqi Bllako u korruptua me 7 milionë e 520 mijë lekë.

Alqi Bllako dyshohet se ka përfituar edhe 119 mijë euro për një pajisje në funksion të biznesit të babait të tij. Ky është momenti i dytë për të cilin ai akuzohet se ka kryer korrupsion. Të gjitha këto lidhje SPAK i ka zbuluar duke gjeneruar email-et nga kompjuteri i sekuestruar i Klodian Zotos.

Bllako është dënuar me vendim të formë së prerë nga Apeli i Posaçëm për shpërdorim detyre për inceneratorin e Elbasanit, me 2 vjet e tetë muaj burg. Ndërsa për Inceneratorin e Fierit, çështja është rikthyer në shkallë të parë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›