E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzohet për përfshirje në grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës, GJKKO lë në burg oficerin e Antiterrorit

Oficeri i Antiterrorit që u vu në dipozicion të krimit do të qëndrojë në burg pa afat. Sipas SPAK, Igli Haxhiaj dekonspiroi operacionet policore, duke punuar për grupet kriminale të cilat i furnizonte me sekrete hetimore.

Haxhiaj u la në qeli me vendim të Gjykatës së Posaçme. Ai u arrestua të enjten gjatë operacionit të përbashkët mes Strukturës Antikorrupsion dhe Prokurorisë së Breshias në Itali.

Sipas SPAK, zyrtari i policisë ka marrë shuma parash nga grupet kriminale.

Të enjten, Gjykata e Brescia-s lëshoi 24 urdhërarreste për trafik ndërkombëtar kokaine. Operacioni i përbashkët i dy prokurorive arriti të provojë se në vitet 2020-2025 trafikuan drejt Italisë 1.3 tonë kokainë.

Ndërkaq Vizion Plus ka mësuar se janë vënë në arrest edhe tre persona, Asti Llupi, Erald Salla dhe Altin Shehaj me qëllim për tu ekstraduar në shtetin fqinj.

Tonelatat e drogës që vinin nga Amerika e Jugut, kishin për destinacion final Italinë dhe disa nga portet më të mëdha europiane.

Shqipëria përdorej si vend tranzit, ku përmes kamionëve dhe autobusëve lënda narkotike kalonte në Europë. Shumicën e rasteve thotë SPAK, shoferët nuk ishin në dijeni që po trafikonin drogë, por nuk përjashohet as mundësia e një bashkëpunimi.

Nga operacioni u sekuestruan 550 mijë euro, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, që në treg do të kishin vlerën e lartë 12 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›