Akuzohet si pjesë e grupit kriminal që trafikoi mbi 82 kg kokainë, arrestohet në Vlorë 30-vjeçari

Një 30-vjeçar është arrestuar në Vlorë këtë të mërkurë (6 maj), i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës. Për 30-vjeçarin me inicialet K.K., autoritetet gjyqësore në Spanjë kanë lëshuar në mars të këtij viti një urdhër arresti, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Sipas hetimeve, ai dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që ka trafikuar në Spanjë 82.84 kg Kokainë, fshehur në një kontejner. Lënda narkotike u sekuestrua nga Policia spanjolle, më datë 05.02.2026, në portin e Vigos, ku gjithashtu u arrestuan në flagrancë, gjatë përpjekjes për të nxjerrë ngarkesën, 2 shtetas.
Nga hetimet dyshohet se roli i 30-vjeçarit ka qenë vëzhgimi i kontejnerit nga jashtë terminalit. Ai është larguar fillimisht drejt Katalonjës, dhe, 11 ditë pas ngjarjes, ka ikur në Itali.
Arrestimi i tij erdhi si rezultat i finalizimit të operacionit të koduar “Operacionalja 93”, pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet policisë spanjoll dhe shërbimeve të DFPO-së, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, në lidhje me vendndodhjen e tij.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 30-vjeçarit.
/rtsh.al/