Homazhet për Servet Pëllumbin, mesazhi i të birit: Drita që na le do të na udhëheqë në të ardhmen. Lamtumirë Profesor!

Në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u zhvilluan homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare. Në përmbyllje të homazheve, të afërm dhe bashkëpunëtorë të tij mbajtën fjalime për nder të figurës së Pëllumbit, duke vlerësuar rolin e tij në jetën akademike dhe politike të vendit.
I biri, Arben Pëllumbi, falënderoi të pranishmit në emër të familjes, duke e përshkruar të atin si një njeri të fortë dhe një shembull të qëndrueshmërisë përballë vështirësive.
“Sot me dhimbje të thellë i japim lamtumirën njeriut më të shtrenjtë të jetës sonë. Është e vështirë të gjesh fjalët kur humbet një baba. Na mësoi të qëndrojmë të fortë dhe të mos ulim kokën përballë padrejtësive. Kujtimi i tij dhe këshillat e tij do të na shoqërojnë gjithmonë,” u shpreh ai, duke shtuar se trashëgimia e tij do të mbetet një udhërrëfyes për familjen.
Një fjalë në homazhe e mbajti edhe ish-politikani Namik Dokle, i cili e cilësoi Pëllumbin si një mik të afërt dhe një figurë të rëndësishme të periudhës së tranzicionit politik në Shqipëri.
“Sot i japim lamtumirën një njeriu të urtë, një miku dhe bashkëluftëtari në vitet kur vendi kishte më shumë dyshime se siguri. Ai ishte aty ku duhej më shumë mençuri, kurajo dhe largpamësi,” u shpreh Dokle, duke theksuar kontributin e tij në konsolidimin e Partisë Socialiste në një periudhë të vështirë politike.
Ai shtoi gjithashtu se Pëllumbi besonte se politika dhe qeverisja fillojnë nga qytetari dhe respekti ndaj tij, duke e quajtur shpesh “profesor i PS”.
Servet Pëllumbi mbetet një nga figurat e njohura të jetës akademike dhe politike shqiptare, me rol të rëndësishëm gjatë periudhës së tranzicionit dhe në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
/rtsh.al/