Akuzoi 5 përfaqësues të PS për blerje votash, nis procedimi për Gjin Gjonin për shpifje

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gjin Gjoni, 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”.
Sipas policisë, procedimi nisi pas kallëzimit të shtetasve D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.
Po ashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” dhe “Shkelja e së drejtës së zgjedhjes”, për shtetasin E. N., 24 vjeç, pasi ka publikuar në rrjetin social “TikTok”, një fotografi të fletës së votimit (të plotësuar) që e ka siguruar nëpërmjet shërbimit postar, duke qenë se është emigrant në Gjermani.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasin Gj. P., 38 vjeç, banues në fshatin Kolsh, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Z., me detyrë zëvendëskryertar i bashkisë Lezhë, se 38-vjeçari, për motive që lidhen me fushatën elektorale, ka penguar me automjetin e tij, lëvizjen e mjeteve në fshatin Kolsh.
Këto shërbime referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. N., 28 vjeç, aktualisht në IEVP Reç, pasi ka kallëzuar vëllai i tij, shtetasi Z. Z., se 28-vjeçari e ka kanosur për jetën, nëpërmjet një telefonate.