E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjeçaj: Rinia e papërfaqësuar, kjo mund të ndryshojë në 11 maj

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Sekretari për Rininë në Partinë e Lirisë, Lazerin Gjeçaj i bëri sot thirrje të rinjve që të dalin masivisht në zgjedhjet e 11 majit.

Ai deklaroi sot në një dalje për mediet, se 11 maji është një ditë vendimtare, një ditë që mund të ndryshojë drejtimin e vendit.

“Pas më shumë se një dekade keqqeverisjeje, korrupsioni dhe shkatërrimi sistematik i institucioneve, rinia shqiptare nuk mund të qëndrojë më spektatore. Ka ardhur momenti që zëri juaj të dëgjohet fort, nëpërmjet votës”, tha Gjeçaj.

Sipas tij, “kjo qeveri ka dështuar në çdo drejtim. Ka larguar nga vendi qindra mijëra të rinj, ka lënë universitetet në mjerim, dhe ka shkatërruar çdo mundësi për një të ardhme të ndershme dhe të sigurt në Shqipëri. Sot, të rinjtë janë më të papërfaqësuar se kurrë më parë. Zëri i tyre është injoruar, dëshirat e tyre janë përbuzur, dhe potenciali i tyre është mbytur nga një sistem që i shërben vetëm të pasurve dhe të lidhurve me pushtetin”.

Por, theksoi ai, “kjo mund të ndryshojë. Dhe do të ndryshojë me votën tuaj”.

“Ne ju bëjmë thirrje të gjithë të rinjve të dilni masivisht në zgjedhjet e 11 majit dhe të votoni për koalicionin “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, një front i bashkuar për ndryshim, drejtësi dhe zhvillim”, tha ai.

“Ky është koalicioni që vendos rininë në qendër të vizionit të tij. Me një plan konkret për punësim, arsim profesional dhe mbështetje për sipërmarrjen rinore, ne jemi të vendosur të ndërtojmë një Shqipëri ku të rinjtë nuk emigrojnë, por jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre”, u shpreh Gjeçaj.

“Më 11 maj, votoni për ndryshimin që meritoni! Votoni “Partinë Demokratike – Aleancën për Shqipërinë Madhështore”! Votoni Ilir Metaj në qarkun Tiranë”, përfundoi ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›