E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm nga aksidentet me skuterë elektrikë, Franca synon kaskën e detyrueshme në nivel kombëtar

Qeveria franceze ka ndërmarrë hapat e parë zyrtarë për ta bërë të detyrueshme vendosjen e kaskës mbrojtëse për të gjithë përdoruesit e skuterëve elektrikë në territorin kombëtar. Nisma vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rritjes galopante të aksidenteve me pasoja të rënda dhe fatale gjatë viteve të fundit.

Pas disa rregulloreve të zbatuara në nivel lokal nga bashki të ndryshme, Zëvendësministrja e Brendshme e Francës, Marie-Pierre Vedrenne, i ka ngarkuar zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore detyrën për hartimin e një projekti ligjor uniform, i cili do të vendosë rregulla të njëtrajtshme për të gjithë vendin.

Bilanci tragjik i shifrave

Domosdoshmëria e ndërhyrjes rregullatore arsyetohet me statistikat zyrtare të vitit të kaluar, të cilat tregojnë një përkeqësim të dukshëm të sigurisë në rrugë për përdoruesit e mikromobilitetit elektrik.

“Të dhënat janë të padiskutueshme: kemi kaluar nga 10 vdekje në vitin 2019 në 79 në vitin 2025. Në të njëjtën kohë, numri i lëndimeve të rënda është rritur nga rreth 200 në gati 1,200.”, tha Marie-Pierre Vedrenne, Zëvendësministre e Brendshme e Francës.

Sipas autoriteteve, vëmendja kryesore e ekzekutivit është përqendruar te skuterat elektrikë dhe mjete të tjera motorike personale (EDPM), si skateboard-et elektrike apo hoverboard-et.

Urgjenca e ndërhyrjes dhe mundësia e shtrirjes te çiklistët

Megjithëse debati publik në Francë mund të përfshijë me kalimin e kohës edhe kategoritë e tjera të përdoruesve të cenueshëm të rrugës, qeveria nëvizoi se përparësia e menjëhershme mbetet kjo kategori mjetesh.

“Diskutimi mund të shtrihet natyrshëm edhe te kategoritë e tjera të përdoruesve të cenueshëm, veçanërisht çiklistët. Megjithatë, sot urgjenca ka të bëjë qartë me skuterat elektrikë.”, thanë zyrtarët francezë.

Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se kuadri i ri ligjor nuk do të shtyhet në kohë, duke konfirmuar se masat do të miratohen përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor presidencial të vitit 2027.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›