E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Albania Open 2022”, tjetër dimension për Padelin

Padeli në Shqipëri tashmë ka marrë një tjetër dimension. Pikërisht në Stërmas, me pjesëmarrjen e 64 lojtarëve, ka nisur për herë të parë turneu “Albania Open 2022”. Një aktivitet që kërkon jo vetëm të jetë i përvitshëm, por të ketë dhe gamë më të gjerë të pjesëmarrësve. Alesandro Palini, organizatori i këtij turneu, për RTSH Sport do të pohonte.

 “Kemi vendosur që këtë herë ta quajmë Albania Open për t’i dhënë mundësinë të gjitha kombeve të ndeshen. Janë 32 skuadra pjesëmarrëse, që janë ndarë në 8 grupe. Pas përfundimit të ndeshjeve në grup do të kalojmë në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale. Ne jemi të kënaqur që kemi pjesëmarrës nga Greqia, Spanja dhe Italia. Dhe më në fund kemi arritur që Shqipërinë ta përfshijmë në tregun ndërkombëtar të padelit duke qenë kështu e pranishme dhe në nivel botëror”.

Dhe me sfidantëve spikaste jo vetëm Genc Çakshiri, por dhe dyshja Erjon Bogdani – Lorenc Jemini, apo dhe trajneri i notit, Shpëtim Hoxha. Pra sportistë të ndryshëm që luajnë padel. A mund të kishte më shumë shtete pjesëmarrëse?

 “Sigurisht që po. Por ne tanimë jemi drejt një projekti e ndoshta brenda një muaji do të kemi dhe turneun e përbashkët Shqipëri – Kosovë duke i dhënë kështu mundësinë të gjithë Ballkanit që të sfidohen”.

Ndërkohë “Albania Padel Group” ka dhe pritshmëritë e veta për këtë turne.

 “Për ne është shumë e rëndësishme që të gjithë të argëtohen. Secili prej pjesëmarrësve do të ketë mundësinë e tre ndeshjeve për të luajtur dhe mundësinë për t’u sfiduar në nivele të ndryshme. Më pas do të mbërrijmë tek fituesi, ai që do të jetë dhe kampioni i parë i Albania Open 2022”.

Albania Open 2022 përfundon më 3 mars, gjithnjë në kompleksin e krijuar për këtë sport në Stërmas të Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›