CEV përjashton Rusinë dhe Bjellorusinë

Federata Shqiptare e Volejbollit, në një letër drejtuar Federatës Europiane dhe asaj Botërore, është shprehur në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të atij vendi pas pushtimit që ka bërë Rusia. Madje, gjithnjë në letrën e firmosur nga presidenti Erlind Pëllumbi, është shprehur shqetësimi i madh sidomos për komunitetin e volejbollit të Ukrainës. E duke menduar që politika do të duhet të jetë larg sportit, ndërsa sulme ruse mbi Ukrainë kanë thyer çdo rregull ndërkombëtar, Federata Shqiptare e Volejbollit është shprehur pro vendimeve për të përjashtuar Rusinë nga çdo aktivitet ndërkombëtar Europian dhe Botëror.
E menjëherë pas kësaj kanë ardhur dhe vendimet e Bordit Ekzekutiv të Federatës Europiane të Volejbollit që përjashtojnë Rusinë dhe Bjellorusinë si me kombëtaret, ashtu dhe me klubet nga çdo aktivitet të sportit të rrjetës. Madje nga aktivitetet e volejbollit në plazh, ndërsa janë pezulluar dhe gjyqtarët ndërkombëtar, vëzhguesit, delegatët që janë me kombësi ruse e bjelloruse nga çdo aktivitet i Federatës Europiane të rrjetës. E në të njëjtën kohë janë larguar dhe anëtarët nga komisionet e Federatës Europiane të Volejbollit. Kështu e gjithë bota në mbështetje të Ukrainës, kurse Federata Shqiptare e Volejbollit shpreson në zgjidhjen e shpejtë të konfliktit dhe kthimin në normalitet të sportit të rrjetës.