E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albri Brahusha: Lexuesi është në mendjen time, por nuk shkruaj për Radio Postën

Intervista - "Letërsia nuk i jep përgjigje askujt." Albri Brahusha, në një intervistë për librin me proza të shkurtra "Aj Rum, Cici Rum", për letërsinë si trashëgimi, për qëndrimin e prerë ndaj realizmit socialist.


Migjeni, Koliqi dhe Kadare si pikë referimi që u kthyen në ikonë dhe shkatërrimi i njërës prej ikonave


I diplomuar avokat, por gjëja që bën, që i jep kohën është letërsia. Albri Brahusha ka një 15-vjeçar që është prezantaur në letrat shqipe në tre drejtime: prozë, dramaturgji, publicistikë. Nga 2002-shi e këtej ka jetuar nëpërmjet letërsisë, siç tregon ai.


Në televizione e gazeta, të cilat i ndërron shpesh se, veç tjerash, nuk arrin të durojë dhunën e njerëzve që mendojnë se janë kompetentë për gjithçka. I ndodhur nel mezzo del cammin, Albri nuk heq dorë nga përpjekjet për të bërë diçka që ta lejojë të jetë shkrimtar, diçka që t'i lejojë kohë.


Përmbledhja e tij me proza të shkurtra "Aj Rum, Cici Rum", (Botime Ombra GVG), e botuar më 2007-ën, u bë shkas për pyetjet e mëposhtme. Shkruan gegërisht kur tregon për fëmininë, për qytetin, për gjëra të gabuara që provokojnë mendim, dhe kapërcen tek gjuha standarde kur flet qoftë për pushtetin, qoftë për kohën.


Albri përgjigjet për fëmininë, për kujtimet dhe formën vizive që marrim edhe nëpërmjet gjuhës, për ndikimin tek ai i Migjenit, Koliqit dhe Kadaresë, ky i fundit tashmë "një ikonë e vetëshkatërruar", ndikimi i qytetit të lindjes, Shkodrës dhe krijimi i një vetëdijeje të pavarur nga rrjedha ku shkon shoqëria së cilës i përket.
Botojmë edhe një prozë të shkurtër marrë nga "Aj Rum, Cici Rum".

Ky libër i vogël me tregime të shkruara në vitet 2003-2007, ka afro dy vjet që është botuar. Përveç intervistuesit, kë akuzon për heshtjen ndaj këtij libri apo të ngjashmëve të tu?


Kur del një libër është një foshnjë dhe është krejt normale që për një foshnjë të mos shprehet shumë konsideratë në krahasim me libra të rritur.


Teorikisht është normale, por unë nuk jam një autor i sapozbuluar. Kjo gjë ndodh me shumicën e librave në Shqipëri, për faktin se këtu nuk ka një treg që propozon shije estetike të letërsisë së mirëfilltë. Ka në rrjedhje totale dhe fatale të shijeve, për shkak se mungojnë propozuesit, të cilët mund të jenë, por nuk janë atje ku duhet.


Nga ana tjetër, ti je nga ata që beson se interesi për të lexuar është rizgjuar.
Mendoj se po. Vë re një rritje të interesit, sidomos tek gratë, gratë lexojnë më shumë me burrat. Kjo për shkak të ndjeshmërisë.


Në radhë të dytë gratë dhe letërsia janë njësoj të persekutuara në shoqëri dhe gjejnë njëra-tjetrën, sepse, si të thuash, janë të përjashtuara. Ndërsa burrat merren me punë të rënda: me politikë, me drogë, me luftë, me çështje të rëndësishme, kryesisht me lekë. Jemi një popull që besojmë më shumë tek forca, tek dhuna, tek pushteti se te gjërat delikate.

"Aj Rum, Cici Rum" sugjeron një traditë gojore për shkak të gjuhës. Një pjesë e tregimeve janë të shkruara në shkodranishte, një nëndialekt i gegërishtes.


Ne gjuhën fillimisht e njohim të folur, pastaj të shkruar. Gegërishtja ka pasur fatin të jetë gjuhë e shkruar, por përgjithësisht është një traditë gojore që flitet kryesisht në qytet të Shkodrës, se pjesa tjetër e Shqipërisë, sidomos verilindja, është krenare që e ndërron të folmen kur vjen në Tiranë, për shkak të një kompleksi inferioriteti që i krijon gjuha zyrtare. Ndërrimi është më i kollajshëm se kur s'ke çfarë ruan si vlerë, je gati t'i ndërrosh gjërat. Shkodra është djepi i gegërishtes në kuptimin letrar të fjalës.


Gegërisht për faktin se këto janë edhe tregime nga fëminia, "një moshë kur s'e ke idenë ç'është gjuha", thua ti...


Kur shkojmë tek fëminia kemi parasysh atë gëzimin, sinqeritetin fëminor, atë pamundësinë e fëmisë me një ëndërrim të jashtëzakonshëm, një situatë perfekte për letërsinë. Në fund të fundit, janë edhe imazhet. Gjuha të ndihmon për të lidhur imazhin, sepse gjuha është imazh, është një traditë imazhesh, më mirë të them.

Shkruan ngaqë do të nxjerrësh jashtë imazhet?


Letërsia nuk është thjesht një kujtim. Nganjëherë imazhet e largëta janë vetvetiu letrarë, sepse janë fermentuar aty dhe shumë gjëra janë harruar, rikrijuar. Ajo është letërsi mirëfilli edhe pa shtesa të sajuara më vonë, kur ti e fut në klimën e një magjie.


Nganjëherë teksti shkruan veten e vet dhe ti thjesht e ndjek. Të shkruarit duke qenë aty në momentin kur t'i shkruan dhe zbulimi i tekstit, nuk është këtej ku po shkruan, është atje ku po ndodh ngjarja, sepse pa qenë ti vetë, nuk mund të çosh kërkënd tjetër.


Në njëfarë mënyre letërsia gjithmonë ka qenë një mjet udhëtimi më shumë se çdo gjë tjetër. Kështu që, në qoftë se ti nuk je shoferi i mjetit, në drejtim të kësaj ngjarje, atëherë askush tjetër s'ka për të ardhur pas teje. Sa më e qartë të jetë ajo rrugë, aq më mirë ndihet lexuesi në këtë udhëtim me mendje.


Për ty fictioni është letërsia e vërtetë, madje fjalë për fjalë pohon: trill, trill, trill, kjo është estetikë.


Pa dyshim, edhe sikur të donim të thoshim të vërtetën, nuk do të mundeshim. Historia, sado që ka evoluar si shkencë ka bërë të kundërtën, ndërkohë që letërsia duke trilluar ka thënë të vërtetën. Antonio Tabucchi thotë në veprën e tij "Sostiene Pereira": "Si ka mundësi që filozofia dhe historia duke dashur të thonë të vërtetën, kanë trilluar, dhe letërsia duke trilluar ka thënë të vërtetën."


E vërteta është Zoti dhe Zotin nuk mund ta shohim, kështu që ne detyrohemi të themi ato që mendojmë ne.

Më kanë akuzuar shpesh se nuk jam person me këmbë në tokë, por s'ka të bëjë me këtë. Në këtë pikë, fluturimi shpesh është i domosdoshëm, sepse për të shkuar në një vend duhet të kapërcehen disa gjëra që realisht nuk janë të pakapërcyeshme. Duket si një lloj magjie, por është thjesht një udhëtim që e bëjmë të gjithë ne kur kujtojmë diçka.

As në këto tregime nuk e ndan në fund të disa historive një lavdi Zotit për të vërtetat.
Lavdi Zotit jo vetëm për hir të një ameni apo të një ajme, po dhe për faktin që shyqyr që nuk e dimë ne të vërtetën. Kam frikë nga njerëz që dinë gjëra të sigurta, sepse këta janë njerëzit më arrogantë në botë dhe siguria e plotë, bindja totale, i ka shkaktuar botës shumë probleme.


Gjithmonë ata që i kanë shfaqur me dyshim dhe butësi ndjenjat e tyre, kanë qenë njerëzit që kanë pasur dijet më të sigurta. Prandaj Sokrati thotë jam i sigurt tashmë që s'di asgjë. Çdo pohim tjetër do të ishte i pavërtetë.


Kështu që, të rrekemi të dimë është procesi që na kënaq, nuk është vetë dija, është përpjekja për të mos harruar, përpjekja për të thënë disa gjëra që shumica e njerëzve nuk e thotë, dhe shkrimtarët e bëjnë, kanë këtë guxim. Jo se janë më trima.

Je akuzuar për qëndrimin ndaj traditës, asaj pjese që zë periudha e realizmit socialist, duke hedhur në rubrikën "Recycle bin" letërsi dhe autorë të kësaj metode.
Letërsia është përtej autorëve.


Ata që e bëjnë letërsinë janë njerëz si dhe unë, unë jam i gabueshëm si njeri dhe këtu nuk ka asgjë për t'u hedhur në kosh në pikëpamjen njerëzore, humane, fizike dhe shpirtërore.


Ndërkohë që vepra është diçka e gjykueshme. Mendoj se, me ndonjë përjashtim - kam parasysh ndonjë Frederik Rreshpja, Lasgush Poradeci sigurisht, që i përket një brezi para atij të realizmit socialist, që u tërhoq pastaj - shumica që kanë qenë në ballkonin e famshëm muzeal të realizmit socialist, kanë shkruar vepra, të cilat kanë shkatërruar normalitetin e zhvillimit letrar, siç do të ndodhte nëse komunizmi nuk do të ishte, nëse liria do të ishte.


Pra janë vepra që nuk janë marrë me njeriun, me dilemat njerëzore, me ato finesat e shpirtit njerëzor, me trishtimin, se historia më e madhe e njeriut, është historia e trishtimit. Duke qenë optimist, ai sistem largoi këto elemente nostalgjie, trishtimi, besimi tek Zoti dhe shumë elementë që lidhen me një traditë edhe më të hershme.


Realizmi socialist, duke dashur të hedhë poshtë çdo lloj influence apo pasurie të mëpërparshme, mori një shteg, i cili ishte një shteg në radhë të parë jo estetik, ishte vepër me porosi dhe veprat me porosi janë vepra pa inspirim, dhe mandej, kur s'kishte porosi kishte autoporosi, d.m.th., vepra botohej nëse kishte disa elementë brenda. Në këtë mënyrë ti nuk ndjek veten tënde.


Në shumicën e rasteve ka ndodhur që, shkrimtari, duke qenë një qenie thellësisht individuale dhe kur del kundër shoqërisë, atëherë i ka sjellë të mirat më të mëdha shoqërisë, kurse duke qenë në rrjedhën e shoqërisë, nuk thotë ndonjë gjë, sepse mbaron me atë rrjedhë.

Mendon akoma se realizmi socialist është baras me servilizmin në letërsi?


Ne letërsinë shqipe ka shumë pak autorë që i flasin gjithë njerëzimit, jo për mision, po për vokacion.


Jemi njerëz kudo që jemi dhe mund të zbulojmë një vend përmes letërsisë më mirë se duke shkuar e duke e shkelur vetë. Ky vokacion i ka munguar letërsisë së asaj kohe. Ishte një letërsi me afat dhe letërsia me afat është një letërsi e dështuar dhe nuk i qëndron kohës.


Makina e madhe shtetërore e atëhershme, nganjëherë edhe e sotshme, u përpoq të krijonte shkrimtarë me tifozë. Por ndryshe nga tifozët e futbollistëve që të paktën i shohin ndeshjet, tifozët e shkrimtarëve shohin vetëm lojtarin. Është njëlloj idhujtarie e njëjtë si me Skënderbeun.


Ndodh që këtu vendosin në radhë disa figura dhe pas tyre fshihen nja 2 milionë vetë që s'bëjnë asgjë, thjesht rrinë aty nën hijen e njerëzve të mëdhenj dhe pengojnë gjithçka që vjen mbrapa. Duhet luftë, duhet të bëhesh bishë për të arritur të bësh hije në këtë vend. Unë s'e kam ndërmend për vete.

I influencuar dikur nga Migjeni, Koliqi, nga Kadare po ashtu. Ka një prozë tek ky vëllim, "Përse mërziten këto male" si për analogji me poemën epike "Përse mendohen këto male", por në fakt është krejt tjetër shqetësim. Si e ndjen sot letërsinë e këtyre autorëve?


Tek dy të parët ndikimi vjen jo vetëm nëpërmjet teksteve, po dhe nëpërmjet qytetit, që do të thotë të jetosh në të njëjtin abitat, në të njëjtën minikulturë, në një qytet rrezatues më shumë në mendje se sa fizikisht, një qytet me ca të fshehta, me ca dukuri borgjeze deri diku, qytetare, po ndërkohë dhe paksa feudale, një qytet në degradim gati-gati, të avashtë, të bukur, në të njëjtin humus. Është ndikim edhe me gjuhën.


Migjeni, duke qenë edhe më i ri në pikëpamjet e tij, ka qenë më radikal, ndërkohë që Koliqi është më i qetë. Është si Drini me Bunën: Drini, një lum i ri; Buna, një lum i qetë, që buron nga vetë qyteti dhe nuk ka ndonjë ngut të madh. Kurse Drini vjen nga lart, nga larg dhe vjen pikërisht nga aty ku vjen pak a shumë edhe Migjeni, nga Ohri, nga ku vijnë përgjithësisht gjithë ortodoksët e Shkodrës.


Megjithatë, është Koliqi që e ka zbuluar Migjenin, ai e ka botuar për herë të parë. Koliqi, po ashtu ka zbuluar dhe Frederik Rreshpjen, e ka botuar tek "Shejëzat". Por talenti është tek të dy, tek njëri një forcë e sigurt dhe e qetë, tek tjetri një forcë e rrëmbyer.


Kurse rasti tjetër është gjuha standarde e ngritur në nivelin më të mirë të mundshëm. Them gjuha, jo stili. Një autor që ka më shumë inteligjencë se sa talent, një autor deri diku i ftohtë, prandaj është marrë shumë me politikë, në një kuptim, pa hyrë në detajet njerëzore. Kjo është edhe një e mirë. Ndoshta ky është vizioni i Kadaresë për Shqipërinë, mënyra se si ai e sheh Shqipërinë dhe botën.

Një "ikonë e vetëshkatërruar" thua ti, së fundi.


Është një ikonë që zgjodhi rrugën e vetëshkatërrimit nëpërmjet zmadhimit. Si lëkura e shagrenit. Rol të madh kanë lustraxhinjtë e veprave të tij. Çdo autor ka një mënyrë të vetën kur bëhet aq i famshëm sa ai për ta çuar veprën në të ardhmen e vet. Referatet e tij gjeopoltike janë pa vlerë. Është një nga autorët që për mua është krejtësisht i lexueshëm.

Megjithatë, kur lexon shkrimtarë të mirë, ia vlen të jetosh.


Kafka thotë diku: "Ndjej neveri nga çdo gjë që nuk është letërsi, nga bisedat e kota, nga tjerrjet dhe më pëlqen të jetoj vetëm me librat dhe me letërsi, jo vetëm me atë që bëj, po dhe me atë që lexoj." Jam dakord. Çdo situatë e shoh si situatë letrare, jo si lëndë e parë për letërsi, por si një botëkuptim gati-gati letrar.

Këto janë pyetje që dalin nga libri yt Albri "Aj Rum, Cici Rum". Ja edhe një për raportin me lexuesin, duke marrë shkas nga një pohim yti: kur shkruaj, lexuesi është në mendjen time, por unë nuk shkruaj për Radio Postën.


Nuk e di pse shprehjen e asaj loje, pas një dileme të gjatë, e vendosa për titull. Një shprehje që s'ka asnjë kuptim.


Edhe kjo letërsi ka fatin e lojës, pra, është diçka që ndodh brenda një personi, brenda një qyteti dhe mandej komunikon me pjesën tjetër të gjuhës së vet. Titujt nuk kanë rëndësi. Puna e shkrimtarit është me tekstin dhe sfida e shkrimtarit është me veten e vet.


Shkrimtari duhet t'i flasë botës si një vullnet i tërë, si një entitet i njëjtë që ka të njëjtin fat. Nganjëherë ka shkrimtarë që lexojnë me syrin e lexuesit. Unë hyj edhe tek këta për të parë dhe për të hetuar se si lexuesi ka procesin e vet të shijimit të asaj që ke shkruar. Çdo lexues më shumë i shton fuqinë librit, gjithmonë.


Ka lexues që e lexojnë siç do doja unë, por secili lexim u përgjigjet edhe kategorizimeve të të shkruarit. Teksti fsheh brenda vetes shumë forma leximi. Është diçka shumë personale dhe, si e tillë, është unike. Nuk është vetëm shkrimtari që e shkruan letërsinë, është edhe gjuha që e shkruan letërsinë.


Në proces çfarë ke?


Një triptik: Ajri, Uji, Toka. Ndoshta diçka me titull "Përtej kopshteve të lumturisë". Bëhet fjalë për tre faza: faza e fëminisë, faza e të qenit i rritur dhe faza e fundit, e vetmisë në tokë. Tek uji është lumturia, marrëdhënia me gratë, kurse tek pjesa e ajrit janë gjëra naive, fëminore. Në 2010-ën besoj do të jetë gati.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›